Në gjykimin ndaj katër ish-ministrave në Qeverisë ‘Thaçi 2’, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, ka elaboruar eskpertizn e tij financiare, eksperti Agim Sheqiri.
Të lartcekurit po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Eksperti financiar Agim Sheqiri ka qëndruar prapa ekspertizës financiare të përpiluar me 9 janar 2019, me urdhëresë të PSRK-së, e cila prokurori e kishte angazhuar për të shqyrtuar dhe analizuar të gjithë dokumentacionin e ofruar nga PSRK-ja në mënyrë që të përgatis një ekspertizë lidhur me procesin e privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE).
Lidhur me procesin e privatizimit ai ka shpjeguar se Qeveria e Kosovës me 17 shtator 2008, ka marrë vendim shthurjen e KEK-ut deri me 31 mars 2018, me përgjegjës Bordin e KEK-ut, e pastaj qeveria me 2 tetor 2008, kishte marrë vendim për privatizimin e aseteve të divizionit të shpërndarjes me energji elektrike dhe për këtë eksperti tha se ka formuar Komitetin Qeveritar për Privatizim (KQP).
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.