Ish-shefi i Prokurimit në Gjilan, Salih Kqiku, ish-drejtori i Urbanizmit Valon Shefiku, udhëheqësi i zyrës së Prokurimit Izet Kurteshi dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike Ganimete Kastrati, ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Fatlum Pireva, Suad Pireva, dhe Muhadin Zuka, ngarkohen me veprën penale “mashtrimi”, duke i shkaktuar komunës së Gjilanit dëm mbi 40 mijë euro.
Dëshmitari Astrit Sherif përfaqësues i kompanisë së betonit “IMM”, ka deklaruar që mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.
“Ne kemi qenë kontraktues në rastin konkret për vlerësimin e cilësisë së asfaltit në rrugën “Vali Ran”, ndërsa sa i përket rrugës “Zabeli i Sahit Agës” nuk më kujtohet, ndërsa, nuk ka qenë kompetencë e jona për vlerësimin e sasisë”, ka thënë dëshmitari Sherifi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar si Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit Publik, pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë” deri te kompleksi “Vali Ranch” me vlerë të kontratës prej 245 mijë e 825 euro e 89 centë.
Aktakuza thotë se në projekt ka qenë e paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07cm.
Tutje, thuhet se të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimit në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar për mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që për veprimet e tyre i është shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në shumën prej 10 mijë e 702 euro e 23 centë.
Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës akuzohen se kanë lidhur aneks kontratë, me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në përmasa dhe parallogari tjetër, nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7 mijë e 881 euro e 16 centë dhe objektin (urën) në vlerë prej 15 mijë e 239 euro e 39 centë, gjithsej në shumë prej 23 mijë e 120 euro e 55 centë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, ashtu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14 mijë e 818 euro e 98 centë./Media Ndërtimi.