Megjithatë, hapja e një aeroporti të dytë civil në Kosovë mund të jetë vështirë e realizueshme – së paku edhe për një kohë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, në vitin 2010, i është dhënë në shfrytëzim një konsorciumi turko-francez, për një periudhë 20-vjeçare.
Kontrata midis autoriteteve të Kosovës dhe konsorciumit “Limak & Aeroport de Lyon”, neni 13.6, e siguron këtë të fundit se nuk do t’i nënshtrohet konkurrencës së drejtpërdrejtë me hapjen e një aeroporti tjetër komercial në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Nëse një aeroport i tillë hapet, Qeveria e Kosovës obligohet ta sigurojë konsorciumin në fjalë se nuk do të ketë humbje nga një kompani ndërkombëtare, që potencialisht do të operonte në Kosovë.
I pyetur nëse Kosova ka nevojë për një aeroport tjetër civil, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupi, shprehet i rezervuar në përgjigje.
“Nëse vendoset të hapet, ne e kryejmë procesin e certifikimit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ali Aliu, njohës i çështjeve të aviacionit civil, thotë se Kosovës, me 1.8 milion banorë dhe me diasporën e saj, i mjafton vetëm një aeroport ndërkombëtar.
Sipas tij, Aeroporti i Shkupit në Maqedoni të Veriut dhe ai i Kukësit në Shqipëri mund të jenë aeroporte alternative për udhëtarët.
Dy aeroportet ndodhen rreth 115 kilometra larg Prishtinës, edhe pse i Kukësit aktualisht është jashtë funksionit, për shkak të, siç është thënë, mungesës së pasagjerëve.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës i ka bërë atij një auditim në vitin 2016.
Në mesin e përfundimeve të nxjerra është se në këtë aeroport është e instaluar kulla mobile e kontrollit të trafikut ajror, e pajisur me sistemet e nevojshme të komunikimit tokë-ajër; aeroporti ka edhe infrastrukturën e furnizimit me rrymë dhe ujë dhe mjetet për furnizimin e aeroplanëve me karburante.
Aeroporti i Gjakovës ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1,799 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë.
Terminali i aeroportit përbëhet nga hapësirat e terminalit të udhëtarëve dhe mallrave, parkingu i aeroplanëve, hapësirat për ngarkim dhe shkarkim dhe hapësirat për shërbime të udhëtarëve.
Aeroporti i Gjakovës është formuar dhe funksionalizuar që pas Luftës së Dytë Botërore për nevoja të agro-kulturës. Në vitet ’90, ai ka pushuar së funksionuari deri në kohën kur është marrë nga KFOR-i./Media Ndërtimi.