Derisa një brez i tërë priste në radhë për të parë një film në kinemanë Lumbardhi, e cila hapi dyert në shkurt të vitit 1952, shtatëdhjetë vjet më parë, një brez tjetër mori iniciativën për të ringjallur kinemanë e mbyllur.
Derisa në kujtesën e disave mbeten të paharruar filmat që i kanë parë, për disa të tjerë të paharruar ishin koncertet e artistëve/eve si Yasemine Hamdan e Gayesu Akyol.
Prizma Medium ka zhvilluar një intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta, për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e Lumbardhit, i cili me përpjekje jashtëzakonisht të rëndësishme veproi për mbijetesën e ndërtesës së kinemasë.
Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit është gdhendur në kujtime në vitin 2014, me fushatën e mbështetur nga 58 organizata joqeveritare të udhëhequra nga DokuFest, EC Ma Ndryshe dhe Rrjeti i Organizatave Kulturore të Prizrenit.
Duke bashkuar akterë të ndryshëm, dhe duke paraqitur kujtesën publike dhe vlerat e tjera arkitekturore, teknologjike dhe sociale të kinemasë si bazë, ata përfshinë kinemanë Lumbardhi në listën e trashëgimisë kulturore me mbështetje lokale, kombëtare dhe rajonale, kështu duke bërë që për herë të parë në Kosovë qytetarët zyrtarisht të përcaktojnë trashëgiminë kulturore dhe njëherit hera e parë që një proces privatizimi ndalohej me një fushatë avokimi.
Ky grup ka kundërshtuar edhe tendencën e Komunës së Prizrenit, në deklaratën zyrtare të saj, për rrënimin e objektit të kinemasë, pas arsyetimit të ‘zgjerimit të rrugës’ dhe ka kërkuar që të zhvillohen opsione për një qasje që e ruan objektin e kinemanë dhe i ofron zgjidhje problemit të sigurisë dhe trafikut.
Në mënyrë që kinemaja të bëhet një ‘hapësirë kulturore kolektive, funksioni kryesor i së cilës është të shfaqë filma’, organizatat kulturore dhe aktorët institucionalë u bashkuan për të kërkuar hartimin e planit të menaxhimit të kinemasë, të gjenerohen burime financiare në nivel lokal dhe ndërkombëtar për restaurimin dhe zhvillimin e saj, si dhe duke sugjeruar të zhvillohet një model shumë-palësh i menaxhimit të kinemasë.
Si rezultat i dialogut të zhvilluar ndërmjet institucioneve për rreth 6 muaj, ekipi udhëheqës i iniciativës pas vlerësimit të situatës, vendosi që, ndryshe nga periudha kur u ndalua rrënimi i kinemasë në vitin 2007, këtë herë duhet të krijohej një entitetit i ri përkushtuar zhvillimit të Kinemasë Lumbardhi dhe me mbështetjen e të gjithëve të veprojë pas të gjitha etapave të procesit sipas kërkesave të Iniciativës.
E në vazhdimësi të kësaj, me qëllim të ‘përpilimit të programeve artistike, edukative dhe kërkimore, mbështetjen e prodhimit kulturor dhe ringjalljen e jetës kulturore në Prizren’, u themelua Fondacioni Lumbardhi. Si rezultat i marrëveshjes me AKP-në, pas riparimeve të vogla dhe pastrimit, Kino Lumbardhi u rihap si qendër kulturore më 30 maj të vitit 2015.
Ndërmarrja shoqërore ‘Kino Bistrica’, e cila drejtoi kinemanë për gati 50 vjet, ashtu si institucionet dhe organizatat e tjera vetëqeverisëse dhe shoqërore, pas luftës, ra nën administrimin e AKP-së. Pas luftës, ish-punonjësit e kinemasë e kuptuan se me shembjen e rrjetit rajonal të shpërndarjes së filmit dhe ndryshimit të teknologjisë, kjo ndërmarrje nuk mund të përballohej me filmat në formate analoge që mund të vinin vetëm nga Tirana, e cila në atë kohë ishte 9 orë larg ose me qira sporadike dhe të ardhura nga bufeja, dhe si rrjedhojë kinemaja duhej të mbyllej. Në atë kohë, derisa kinemaja në Pejë po rinovohej me mbështetjen e KFOR-it italian, Komuna e Prizrenit nuk e pranoi një mbështetje të ngjashme, por në vend të kësaj e pasqyroi planin për rrënimin e kinemasë në planin zhvillimor të qytetit për vitin 2003.
Siç e dini, ky plan u zyrtarizua në vitin 2007, me vendimin për rrënimin e kinemasë marrë nga ekzekutivi në atë kohë, madje u krijua një komision dhe u bë inventarizimi i kinemasë, ku u sugjerua se cili projektor dhe cila ulëse ku duhet të dërgohet. Ishte një fushatë gjatë periudhës së festivalit nga profesionistë dhe aktivistë që përpiqeshin të mbronin komunitetin dhe trashëgiminë kulturore, që nga viti 2002, duke kërkuar rifunksionimin e kinemasë me ndërmjetësimin e DokuFest-it, kështu dhe u ndal procesi, pas grumbullimit të mbi 8.000 nënshkrimeve. Kjo mbeti në kujtesë si Iniciativa e parë e mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi./Media Ndërtimi.