Aktuale
Italia do të vazhdojë mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë
Në vazhdën e takimeve me përfaqësues të korit diplomatik, të akredituar në Kosovë, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor znj. Albena Reshitaj takoi zv.ambasadorin e Italisë në Kosovë , Matteo Corradini.
Bëhet e ditur se zv.ambasadori i Italisë Corradini me këtë rast shprehu gatishmërinë e tij dhe të shtetit që përfaqëson për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në avancimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, me theks të veçantë në zbatimin e ligjeve që lidhen me mjedisin dhe planifikimin hapësinor.
Ministrja Reshitaj e informoi diplomatin italian me prioritetet e saj, si dhe për planin e adresimit të sfidave në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor e veçanërisht për çështjen e ujërave, mbeturinave dhe ajrit.
“Ndotja e mjedisit, ajri, mbeturinat e ujërat janë probleme dhe sfida globale dhe vendore që kërkojnë bashkëpunim edhe ndërshtetëror, për të pasur jetë të shëndetshme për qytetarët dhe shoqëritë e botës. Në këtë linjë shteti i Kosovës dhe unë si ministre do të thellojmë bashkëpunimin me të gjithë akterët vendor, rajonal dhe ndërkombëtar për tejkalimin e krizave e problemeve mjedisore edhe ndërkufitare”, u shpre znj. Reshitaj, duke e falënderaur zv.ambasadorin Corradini për kontributin dhe bashkëpunimin e shtetit të Italisë në veçanti për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, realizimin e projekteve që lidhen me mjedisin.




