Komuna e Prizrenit e jep lejen ndërtimore, banorët kundërshtojnë vendimin në Gjykatë
Ndonëse kishte pasur shumë ankesa të banorëve, Komuna e Prizrenit ka dhënë lejen ndërtimore për ndërtesën shumëkatëshe në rrugën “Ardian Zurnaxhiu” (“Tahir Meha”).
“Lidhur me informatat që i keni kërkuar për objektin në rrugën ‘Tahir Meha’ se a është pajisur me Leje ndërtimi dhe rrënimi, objekti është i pajisur me Leje Ndërtimi me Nr.04-351/02-154837 të datës 12.10.2021, kurse me Leje Rrënimi është pajisur me Nr.04-353/01-34228 të datës 03.09.2021”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prizrenit për Kallxo.com.
Këtë leje komuna e ka dhënë në muajin tetor 2021, ndërsa sipas banorëve ende nuk ka filluar ndërtimi për shkak të vendimit të inspektoratit ministror për ndalim të fillimit të punimeve.
Ndaj vendimit të Drejtorisë së Urbanizimit në Komunën e Prizrenit, përfaqësuesi i banorëve, avokati Faik Miftari, është ankuar në shkallë të dytë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas ankesës së avokatit, Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit për procedurën administrative.
Avokati, si përfaqësues i banorëve i ka propozuar Ministrisë së Mjedisit që të refuzojë vendimin për dhënien e lejes ndërtimore, ta anulojë apo ta kthejë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Por, sipas avokatit Faik Miftari, Ministria e Mjedisit nuk ka kthyer përgjigje brenda 30 ditësh, afat të cilin e përcakton ligji.
Më pas, me kalimin e 30 ditëve dhe mos pranimit të përgjigjes në ankesë, avokati ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit që në afat prej 7 ditësh të lëshojë aktvendim ndaj ankesës së ushtruar në fjalë.
Në përgjigjen që kanë pranuar palët nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thuhet se palët nuk kanë bërë ankesë fillimisht në Drejtorinë e Urbanizmit në Prizren.
Por, sipas avokatit, udhëzimi juridik i ka shtyrë ata të ankohen në shkallë të dytë në MMPHI.
Pas kësaj, avokati ka bërë të ditur që kanë filluar procedurat për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë./Media Ndërtimi.
Një grup i qytetarëve të rrugës “Ardian Zurnaxhiu” (“Tahir Meha”), gjatë muajit tetor 2021 në Prizren patën shprehur shqetësimin për mundësinë e ndërtimit të një ndërtese banesore në këtë lagje, në pronën e ish-ministrit të Administratës Publike Mahir Jagxhillar (Mahir Yagcilar).
Kallxo.com ka kontaktuar me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët kanë thënë se janë në shqyrtim të lëndës dhe në momentin e marrjes së një vendimi do të njoftojnë.
Gjithashtu, në përgjigjen e Ministrisë thuhet se me rastin po merret edhe Inspektorati i Ministrisë.
“Ju njoftojmë se Ministria ka pranuar ankesën nga banorët e lagjes “Tahir Meha” të cilët i përfaqëson Faik Miftari dhe nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit e cila është e regjistruar me nr. e lendes A-208/21 ne zyrën Ligjore te MMPHI. Pas konsultimit me udhëheqësen e Zyrës Ligjore dhe zyrtarin përgjegjës të lëndës, ju informojmë se ankesa është në procedurë të shqyrtimit dhe së shpejti do të merret vendimi. Po ashtu ne u konsultuam edhe me Inspektoratin e MMPHI dhe na e dhanë këtë përgjigje: Nga dje jemi duke u marr me rastin në fjalë. Posa te kemi gati raportin do ju përcjellim”, thuhet në përgjigjen e MMPHI./Media Ndërtimi.