Connect with us

Aktuale

Dorëzohet AKP-ja, refuzon propozimin e NPB-së për përcaktimin e ‘mexhës’ për projektin milionësh në Lakrishtë

Published

on

Kryetari i Bordit, Nazmi Mikullovci nuk e thotë të vërtetën rreth çështjes. Asnjë masë ndaj Jasharit.

Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Avni Jashari është tërhequr nga nisma për përcaktimin e kufirit problematik mes parcelës së NPB-së dhe një prone të administruar prej AKP-së në Lakrishtë që është objekt hetimi i Prokurorisë Speciale në kuadër të projektit të dyshimtë 120 milionësh afaristo banesor.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nazmi Mikullovci i cili ka thënë se është njoftuar nga vartësi i tij, Jashari se është refuzuar propozimi i ri i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Dokument vendimi për refuzim nuk është bërë ende publik.

Mikullovci:  Ai më ka tregu që ka pasë një kërkesë (nga NPB), por që është refuzu se nuk është interesi jonë tash me përcaktu aty parcelën.

Pyetje:  Kur është refuzu?

Mikullovci:  Valla nuk jam i sigurtë. Para Vitit të Ri…

Por, ndryshe prej asaj që deklaron Mikullovci, sipas burimeve të sigurta, propozimi ishte miratuar në parim si i rregullt në Agjencinë Kosovare e Privatizimit në prag të Vitit të Ri dhe festave të zgjatura të janarit dhe pritej të procedohej tutje për në Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës.

Propozimi i NPB-së, ishte dorëzuar më 17 dhjetor 2021 në AKP, vetëm tri ditë pas një takimi të fshehtë për publikun mes kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhaj dhe shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Avni J. Jashari.

Përkundër faktit se kjo çështje është me interes të madh publik, dy bartësit e funksioneve publike janë dakorduar dhe kanë marr vendime në kushte të jotransparencës pa njoftim të medieve. Lidhur me këtë çështje kanë qenë të mbyllur dhe nuk nuk kanë dashur të deklarohen fare as Jashari e as Hoxhaj, që prej datës 22 dhjetor kur kanë pranuar pyetjet në e-mailin zyrtar.

Zëvendësi i drejtorit menaxhues, Avni J. Jashari nuk ka ofruar qasje në këtë dosje të AKP-së. Ai ka deklaruar vetëm se nuk ka vendime të lëshuara nga Agjencia.

Kryetari i Bordit të AKP-së insiston sërish në deklaratën e tij.

Mikullovci: Nuk u pranu për me nda mexhën bashkë. Ata kanë propozu, na kemi thonë s`jemi të interesum, qaq!.

Pyetje: Cila është arsyeja?

Mikullovci: Janë disa arsye. Unë nuk muj tash me i diskutu sepse kemi dëme nëqoftëse flas. Sepse nëqoftëse  ndërtohet një ndërtesë e lartë, atëherë hup vlerën prona jonë.

Pyetje: D.m.th, njëra prej arsyeve është kjo?

Mikullovci: Po kryesorja është. Na gjithmonë e vlerësojmë interesin e pronës së qytetarëve. Për atë edhe jemi”.

Përkundër asaj që deklaron Mikullovci, pikërisht propozimi i NPB-së ishte vlerësuar se nuk e humb vlerën e pronës së AKP-së në Lakrishtë dhe kishte kaluar në parim.

“Jo, nuk e di!  Ani de në qoftëse ke informata….. po kush je ti?…. Ani de, mirë në rregull, Paq sukses, çdo të mirë”, ka thënë Mikullovci, i cili nuk e ka vazhduar më bisedën.

Kujtojmë se vetë kreu i Agjencia Kosovare e Privatizimit, Avni J. Jashari, i kishte iniciuar procedurat për përcaktimin e kufirit kadastral mes dy parcelave në Lakrishte përkundër faktit se kjo çështje po hetohet nga Prokuroria Speciale për shkak të pretendimeve të bazuara për keqpërdorime dhe shkelje ligjore dhe se disa zyrtarë të AKP-së tashmë ishin intervistuar për këtë çështje.

Kjo çështje problematike ligjore lidhet drejtpërdrejt me tentativën për të çuar përpara projektin e dyshimtë 120- milionësh afaristo banesor të NPB-së në Lakrishtë që kulmoi me skandalin mjedisor të shkatërrimit të azbestit kancerogjen dhe ndaj të cilit projekt rëndojnë akuza serioze për dhjetëra shkelje ligjore e procedurale.

Më herët, NPB-ja nuk kishte arritur ta merrte pëlqimin nga AKP-ja për shkak të shumë parregullsive përfshirë mungesën e dokumentacionit të plotë kadastral që do ta dëshmonte sipërfaqen faktike të NPB-së në Lakrishtë.

Për këtë tentativë klandestine, përmes emaileve zyrtarë kam vënë në dijeni Bordin e AKP-së, Agjencinë Kadastrale e Kosovës, Kuvendin e Kosovës që mbikëqyrë punën e AKP-së, Kryeministrinë dhe Prokurorinë Speciale.

Deri më tash, Bordi i AKP-së nuk ka diskutuar për këtë çështje dhe nuk ka marr asnjë masë ndaj shefit të AKP-së, zëvendësit të drejtorit menaxhues, Avni J. Jashari lidhur me këtë tentativë.

Historiku i rastit

Muaj më parë, vendimi për përcaktimin e kufirit kadastral në mes të parcelave të NPB-së dhe AKP-së ishte nxjerr kundërligjshëm nga Kadastri i Komunës së Prishtinës që drejtohej nga Shpend Ahmeti, pa pëlqimin e AKP-së.

Lënda poashtu ishte miratuar nga Komuna përkundër faktit se NPB-ja kishte kontraktuar një teknik gjeodet me shkollim të mesëm, i cili jashtë kompetencave të tij kishte përcaktuar kufirin duke kryer punën e gjeodetit të licencuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Për këto shkelje banorët e Lakrishtës e kishin njoftuar ministrin e mjedisit, Liburn Aliu i cili më pas kishte kërkuar nga Agjencia Kadastrale t`i hetonte këto pretendime.

Shkeljet janë vërtetuar dhe Drejtoria e Kadastrit në fund të qeverisjes së Shpend A. Ahmeti ishte detyruar ta anulonte vendimin që kishte nxjerr vetë dhe ta kthente gjendjen e mëparshme kadastrale.

Askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale por as morale e profesionale për këtë çështje.

Nuk ka pasur dorëheqje e as shkarkim.

Kryeshefi i NPB-së vazhdon t’i ushtroj detyrat e tij përkundër se dyshohet që bashkë me ish qeverisjen komunale të Prishtinës dhe institucionet e tjera është i përfshirë në dhjetëra shkelje ligjore që kulmuan me rrezikimin e shëndetit të banorëve nga shkatërrimi pa kontroll me eskavator i azbestit që u konstatua nga laboratori i pavarur gjerman se i pêrket shkallës së tretë me rrezikshmëri të lartë kancerogjene.

Ekzistojnë dyshime të bazuara se në këtë projekt multi-milonësh është i përfshirë një rrjet i tërë institucional dhe jo vetëm.

Prokuroria Speciale do ta thotë fjalën e saj.

*Artikull i shkruar nga gazetari Arsim Halili./Media Ndërtimi.

Aktuale

Rritja e qirave dhe kriza e strehimit kthehen në një fushë beteje kyçe të politikës evropiane

Published

on

Rritja e qirave dhe çmimet e larta të pronave rrezikojnë të kthehen në një fushë beteje kyçe të politikës evropiane pasi partitë e ekstremit të djathtë dhe populiste fillojnë të shfrytëzojnë zemërimin në rritje të publikut mbi krizën e banesave në kontinent, thonë ekspertët.

Javë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, në të cilat partitë e ekstremit të djathtë parashikohet të përfundojnë të parat në nëntë shtete anëtare të BE-së dhe të dytat ose të tretat në nëntë të tjera, strehimi ka potencialin të bëhet një nxitës i fuqishëm i mbështetjes së ekstremit të djathtë sa emigracioni.

“Partitë e ekstremit të djathtë përparojnë kur mund të shfrytëzojnë boshllëqet sociale që dalin nga investimi i pamjaftueshëm dhe planifikimi joadekuat i qeverisë … dhe kur mund të fajësojnë të huajt”, tha raportuesi special i OKB-së për të drejtën për strehim.

“Kjo është situata në të cilën ndodhen tani shumë vende të BE-së”, tha Balakrishnan Rajagopal për Guardian.

“Kriza e strehimit nuk po prek më vetëm personat me të ardhura të ulëta, emigrantët, familjet me një prind, por shtresat e mesme. Kjo është çështja sociale e shekullit të 21-të.”

Çmimet e banesave të përballueshme kanë ndezur protesta në Lisbonë, Amsterdam, Pragë, Milano dhe – jashtë BE-së – po Londër, me të rinjtë të cilët janë kundër qirave që marrin  gjysmën e të ardhurave të tyre dhe hipotekat 10 herë më shumë se paga mesatare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 300 biznese dhe dhjetëra agjentë doganor nënshkruajnë peticionin për vazhdim të licencës së Terminalit Doganor në Ferizaj

Published

on

Terminalit Doganor në Ferizaj i skadon licenca në qershor. Zyrtarët e saj thonë se nëse mbyllet Terminali, do të përfitojnë kompanitë transportuese nga shtetet tjera.

Rreth 300 biznese dhe dhjetëra agjentë doganor kanë nënshkruar peticion për institucionet duke kërkuar që t’i vazhdohet licenca terminalit pasi nuk kanë asnjë ankesë dhe kushtet në terminalet publike nuk i plotësojnë kërkesat e tyre.

Përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë nga qeveria që të reflektoj mbi faktet e paraqitura dhe të rishqyrtoj politikat për terminalet, raporton RTK.

Minisitri Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, pak ditë më parë ka thënë për media se kjo çështje është brenda Komisionit përkatës

“Ne kemi marrë letër edhe nga Komuna e Ferizajt dhe pak a shumë jemi të njoftuar me situatën, është bërë edhe aplikimi nga ana e kompanisë, e cila sipas ligjit gjashtë ditë para duhet të bëjë aplikimin për vazhdimin e kësaj licence. Çështja e kësaj licence natyrisht do të mbetet brenda komisionit përkatës i cili merret dhe trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera”, tha ai.

Ministri Aliu ka theksuar se pretendimet e paraqitura do të trajtohen mjaft seriozisht edhe në ministrinë që e drejton ai, por edhe në Ministrinë e Financave./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Eurostat: Shqiptarët më punëtorët në Evropë, por me paga me të ulëta

Published

on

Shqiptarët punojnë me orë më të gjata pune krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse paguhen më pak.

Sipas të dhënave nga Eurostat, një javë e zakonshme pune për personat e moshës 20-64 vjeç në BE është mesatarisht 37.5 orë, ndërsa për shqiptarët rreth 43.7 orë në javë.

Konkretisht, shqiptarët punojnë një ditë më shumë se vendet e BE-së ose 6 orë më tepër në javë.

Pavarësisht këtij fakti, orët e zgjatura të punës në Shqipëri nuk përkthehen me paga më të larta, pasi aktualisht vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon dhe Europë, gati dyfish më pak se Serbia e Mali i Zi dhe ndjeshëm më pak se Bashkimi Europian.

Kjo tregon një mospërputhje të qartë midis orëve, pagës apo edhe produktivitetit të punëtorëve.

Direkt pas vendit tonë renditet Serbia, ndërsa sa i takon vendeve të BE-së, Greqia ka përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur, rreth 11.6%, e ndjekur nga Qiproja 10.4% dhe Franca 10.1%.

Orët e zgjatura të punës në Greqi lidhen edhe me normën më të lartë të papunësisë, e si rrjedhojë orët shtesë të punonjësve aktivë i referohen zëvendësimit të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

Holanda ka javën më të shkurtër të punës me rreth 33.2 orë, e ndjekur nga Gjermania me 35.3 dhe Danimarka me 35.4 orë.

Duke qenë se Shqipëria ka rekordin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon me një normë prej 36%, orët e gjata të punës lidhen kryesisht me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punën e fundjavës.

E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, ku 29.3% e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata krahasuar me të punësuarit, të cilët përbënin 3.6% e totalit.

Në Shqipëri administrata publike është ajo që punon më pak, me rreth 38.8 orë në javë, ndërsa punëtorët e sektorëve të prodhimit dhe ndërtimit punojnë më tepër.

Ndërsa në BE, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit me 27.5% dhe menaxherëve me 21.9%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending