Shqipëria prodhon rreth 630 tonë mbetje spitalore në vit, nga të cilat 20% e tyre kategorizohen si mbetje të rrezikshme, por që përfundojnë në koshat e mbetjeve të qytetit dhe buzë lumenjve.
50 tonë mbetje spitalore, që prodhohen në qarkun e Elbasanit, në pjesën më të madhe të tyre përfundojnë në brigjet e lumit Shkumbin.
Ekspertët ngrenë alarmin për menaxhimin e mbetjeve spitalore, për të cilat jepen miliona lekë, por askush nuk mban përgjegjësi.
Vaibe Bylykbashi vuan nga astma kronike. Së bashku me një grup shoqesh del çdo ditë për ecje të lirë në pedonalen e qytetit të Librazhdit, që kalon buzë lumit Shkumbin, por në vend të ajrit të pastër Vaibja thotë se iu duhet të ecin mbi mbetjet spitalore.
“Njëherë eca mbi një kuti dhëmbësh porcelani. Sheh çdo ditë age e shiringa spitali. Më duket se klinikat dentare nuk i dërgojnë në vende të caktuara, por thjesht i hedhin në lumë”, – tregon ajo për Investigative Network Albania dhe shton se pak kohë më parë iu desh ta ndalonte ecjen për shkak të erës së rëndë të ujërave të zeza dhe mushkonjave.
Pirgje masive plastikash, kanoçesh, qelqurinash dhe mbetjesh spitalore, është kjo panorama e brigjeve të lumit Shkumbin. Sipas të dhënave të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, përgjatë vitit 2017 në qarkun e Elbasanit u prodhuan 49.8 tonë mbetje spitalore.
Hedhja e tyre në lumin Shkumbin rrezikon një pandemi për 500.000 banorët që jetojnë në luginën e tij. Komunitetet e banorëve përgjatë lumit janë të shqetësuara nga kjo “minë me sahat” në portat e qyteteve të tyre. Vaçe Karaj, një tjetër banore e Librazhdit, thotë se situata bëhet edhe më alarmante, pasi qentë i shpërndajnë këto mbetje të rrezikshme nëpër lagje.
Ndërsa Arjana Novaku e ka pësuar mbi kurriz një rast shqetësues për shëndetin e fëmijëve të saj.
“Një herë vajza ime e vogël pati një kalvar me probleme, pasi iu krijua infeksion në vesh. Unë nuk kam mjaftueshëm pará për të shkuar në plazhe dhe gjithmonë shfrytëzoj mundësinë e lumit Shkumbin, por nuk shkohet më, sepse ka lloj-lloj sëmundjesh për shkak të ujit të ndotur nga plehrat”, – shprehet ajo.
“Në kurriz i kemi ne dhe brezat e ardhshëm këto ndotje. Mbase ata shkojnë nëpër resorte me pushime, por ne jetojmë çdo ditë në pasiguri”, – thotë Luljeta Bylykbashi, një tjetër banore e irrituar me situatën ndër vite.
Referuar Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve, përllogaritet se vendi ynë prodhon çdo vit rreth 630 tonë mbetje spitalore, nga të cilat 20% e tyre konsiderohen të rrezikshme, pasi janë inde të dala nga ndërhyrjet e ndryshme, kirurgjikale.
Më pas ato duhet të merren nga kompani të specializuara për trajtimin e tyre dhe të digjen, por realiteti tregon se për shkak të kostos së lartë këto mbetje përfundojnë të hedhura buzë lumenjve apo në koshat e mbeturinave urbane./Media Ndërtimi.