Rregullimi i shtratit të lumit “Krena” në Gjakovë, projekt i financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ishte bërë pa marrë pëlqim ujor, mjedisor si dhe pa leje ndërtimore.
Përveç këtyre shkeljeve, grup punues i formuar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga Ministria, ka gjetur se pranimi teknik i punëve të realizuara nuk ishin bërë sipas kërkesave ligjore.
“Tre anëtarët e komisionit për pranimin teknik janë arkitektë, të cilët kanë konstatuar se mungon leja ndërtimore. Përkundër që i mungon leja ndërtimore, e kishin bërë pranimin teknik dhe i ishin mundësuar procesimin për realizimin e pagesave. Në këtë komision nuk ka pasur asnjë inxhinier kompetent të fushës”, thuhet në raportin e Grupit Punues të cilin e ka siguruar KALLXO.com dhe që ishte bërë me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga Zyra Kombëtare e Auditimit për përmirësim të kualitetit të projekteve.
Projekti është realizuar në tri faza dhe për secilën kishte kontrata të veçanta. Për secilën prej fazave të projektit, përveç kontratës bazë, është nënshkruar edhe nga një aneks-kontratë për punë shtesë.Grupi Punues ka gjetur se inxhinierët projektues nuk i kanë plotësuar kushtet e projektimit të rregullimit të lumenjve.
“Bazuar në diplomat e inxhinerëve projektues mund të konstatohet se ata nuk i plotësojnë kushtet për projektimin e rregullimit të lumenjve, pasi që projektimi i rregullimit të lumenjve duhet të mbulohet nga inxhinierët e hidroteknikes, e jo të konstruksioneve”.
Raporti ka gjetur se në projektin kryesor mungojnë hidrologjia e regjimit të ujrave; hidraulika e shtratit të lumit; analiza e ngarkesave të kanalizimit fekal; detyrat projektuese si dhe kriteret ekologjike projektuese.
Kontrata e parë është nënshkruar më 24 korrik të vitit 2018 – “Rregullimi i shtratit të lumit Krena, nga Ura në rrugën “Yllka Domi” deri në Urën e rrugës “Ismail Qemali” Gjakovë – Kontratë dy vjeçare”.Procedurat e tenderimit janë hapur nga Komuna e Gjakovës dhe kontrata e nënshkruar ishte në vlerë 349 mijë euro me kompaninë “Korben”. Për këtë tender kishte një aneks-kontratë. Vlera e saj ishte 34 mijë e 783 euro dhe është nënshkruar rreth dy vjet pas kontratës së parë, me 14 dhjetor 2020, me të njëjtën kompani.Për rregullimin e shtratit të lumit “Krena” është hapur edhe një tender. Më 13 maj 2019 është nënshkruar kontrata në vlerë prej 600 mijë e 600 euro në mes të Komunës së Gjakovës dhe grupit të operatorëve ekonomikë “VB Tofaj dhe Joos Krasniqi”.
Më 23 dhjetor 2019 është nënshkruar një aneks-kontratë për këtë tender, me kompaninë “VB Tofaj”, në vlerë prej 59 mijë e 923 euro.
Më 9 korrik të vitit 2020 është nënshkruar kontratë për “Rregullimin e shtratit të lumit Krena – Pjesa e tretë” në vlerë prej 788 mijë euro. Procedurat e prokurimit i ka kryer Komuna e Gjakovës dhe kompania fituese e tenderit ishte kompania “VB Tofaj”.
Për të njëjtin tender ka edhe një aneks-kontratë tjetër, e cila është nënshkruar më 14 dhjetor 2020 në vlerë 77 mijë euro, me të njëjtën kompani./Media Ndërtimi.