Connect with us

Infrastrukturë

Ngrohja globale sjell specie të reja peshku në ujërat e bregdetit shqiptar

Published

on

Biologët bëjnë thirrje që te investohet më shumë kohë dhe burime në studimin e ndryshimeve që po sjell ngrohja e ujërave në florën dhe faunën detare.

Beniamini, i cili punon si magazine në portin e peshkimit në Durrës, ka vënë re prej kohësh se gjatë gjuetisë, në rrjeta bien mjaft peshq, të cilët para disa vitesh nuk njiheshin thuajse fare.

“Nga ana tjetër, mjaft nga speciet e bregdetit tonë kanë nisur të mungojnë – tha Beniamini për BIRN, ndërsa shtoi se klientët tanë si restorante apo resorte e konsiderojnë këtë si një dukuri negative”.

Duke sjellë si shembull karkalecin e detit, ai shtoi se “tashmë afro 80 përqind të sasisë së peshkuar i takojnë karkalecëve “të huaj”, që kanë mbërritur vonë në ujrat tona, ndërsa karkaleci “vendas” ka mbetur vetëm 20 përqind”, shkruan reporter.al.

Specialistët, që janë në kontakt të vazhdueshëm me peshkatarët thonë se ky fenomen lidhet kryesisht me ngrohjen globale, por jo pak edhe me kripshmërinë e ujërave tona detare që arrin në 36-37 për mijë.

“Vitet e fundit temperatura e ujërave në brigjet e vendit tonë është rritur me 1,5 gradë celsius,” tha për BIRN biologu detar Nasho Huta.

Sipas Hutës, speciet e panjohura më parë mbërrijnë nëpërmjet rrymave detare, përmes ngushticës së Gjiblartarit dhe kanalit të Suezit.

Peshkatarët vlerësojnë se numri i specieve të reja arrin në afro 100.

“Kjo ka sjellë ndryshimin e strukturës autoktone të faunës sonë,” vlerëson biologu durrsak, duke shtuar se ato po zëvendësohen nga specie të tjera.

Po çfarë po ndodh me rezervën peshkore të brigjeve tona nga Butrinti deri në Velipojë?

Duke folur për tre llojet e karkalecit që mbërrijnë nga zona e indo-paqësorit përmes kanalit të Suezit, biologu Nasho Huta, thotë se në këtë rast parashikimi është mjaft pozitiv.

“Sasia së karkalecit brenda një 10-vjeçari pritet të 3-fishohet,” shprehet Nasho Huta, i cili shton se i njëjti fenomen po ndodh edhe në vende të tjera të Mesdheut si në Tunizi apo në Turqi.

Numri i madh i lumenjve që derdhen në bregdetin shqiptar, dhe grykëderdhjet e tyre ku nuk mungon ushqimi, e kanë rritur numrin e specieve detare në brigjet tona./Media Ndërtimi.

Infrastrukturë

Rrëfimi se si një familje në Pejë pretendon se e humbi pronën në fajde (VIDEO)

Published

on

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar hulumtimin se si një familje në Pejë pretendon se e humbi pronën e tyre në fajde. Naser Brdakiç pretendon se mori para me fajde nga zyrtari policor, Flamur Rexhaj.Ai ka vendosur të flasë për fajdenë ekskluzivisht për “Kallxo Përnime”, vetëm pasi gjykata vendosi që t’i largojë nga shtëpia me anë të përmbarimit.

Brdakiç thotë se nga Kosova ka ikur para 10 viteve, pasi nuk ka mundur t’i përballoje problemet që i kanë ndodhur pasi ishte zhytur në fajde.“Në Amerikë jam që gati 10 vite, kam ardhur këtu se më ka ndodhur shumë sende te këqija edhe kam pas probleme edhe kam vendos me ardhë ne Amerikë. Në Kosovë më ka ndodhë që kam marrë pare me fajde edhe me kanë dalë 100 probleme me ato fajde, paret i kam marrë prej Flamur Rexhës, i cili është polic në Pejë, ai u kanë shumë herë i suspenduar por u kthy prapë në Polici. Jo nuk është suspenduar për rastin e familjes sime, po për tjera sende”- thotë Brdakiç. Brdakiç tregon edhe sa para ka marrë me fajde nga zyrtari policor dhe tregon për kamatat që ia ka paguar atij.

“Unë prej Flamur Rexhajt i kam marrë paret dhe e kam pasë kamatën 10% mujore sepse e kam pas një objekt në Pejë dhe i kam dhanë sende veresi me pritje edhe kam mbetë pa pare t’u jep veresi dhe kam mendu që me vazhdu biznesin dhe kam marrë dy herë kah 40 mijë euro prej Flamur Rexhës me kamatë 10%. Këto pare si kam kthyer, kam dhënë kamatën çdo muaj dhe kur jam vonuar u dashtë edhe do pare me i shtuar. I kam dhanë kah 8 mijë euro mujore dhe kur jam vonuar dy, tri ditë, pesë ditë u dashtë me i shtu edhe 700 deri 1 mijë euro”- thekson ai.

Duke treguar edhe momentin se çka kishte ndodhur kur nuk kishte mundur t’i pagonte paratë, Brdakiç pretendon se nënshkrimi që shtëpia të hyjë në hipotekë për këtë borxh ishte dhënë nën presion.

“Kur nuk munda me i pagu këto parë kemi pas presion të madh nga ai edhe ka shku te shtëpia ime me disa persona dhe ma ka marrë shoqen dhe e ka dërguar në gjykatë me i nënshkruar veç ato letrat që i ka përgatitur ai për me nënshkruar objektin tonë në emrin e tij”- potencon Brdakiç.

Brdakiç pretendon se u rrah e u keqtrajtua pasi vendosi që rastin ta lajmërojë në Policinë e Kosovës. Ai pretendon se edhe pajisjet e hetimit të policisë iu kishin hequr nga trupi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Prokuroria Themelore në Gjakovë në aksion kundër shkatërruesve të mjedisit

Published

on

Një kamion transportues dhe një ekskavator janë sekuestruar për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes një njoftimi për media, teksa ka bërë të ditur se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, është duke u degraduar ambienti për shkak të aktivitetit të tillë ilegal.

“Prokurori koordinator për hetimin e krimeve kundër mjedisit, Kastriot Memaj, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ nga neni 338 i KPRK-së. Njëkohësisht, në koordinim me policinë, janë duke u ndërmarrë veprime aktive në drejtim të kapjes së kryesve të kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se prokuroria mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bëhet thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Ura e Kukësit pritet të hapet më 1 qershor

Published

on

Segmenti tre kilometra i aksit Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit nga mbikalimi i Gostilit deri te ura e Kukësit tashmë është hapur për qarkullimin e mjeteve.

Plot tri javë iu deshën kompanisë koncensionare për vendosjen e shtresave të stabilizantit dhe asfaltimin e njërit segment rrugor që lidh dy anët e Urës së Re me Rrugën e Kombit, ndërsa po punohet për përgatitjen për asfaltimin e segmentit tjetër rrugor në hyrje të Urës së Re.

Konstrukti metalik i urës së re mbi Drin, tashmë është pozicionuar në bazamentin përfundimtar të saj ndërsa po punohet për montimin e pjesëve dhe vendosjen e shtresave të nevojshme drejt përmbylljes së projektit dhe vënien në funksion të plotë brenda muajit qershor, e gatshme për sezonin e verës.

I gjithë trafiku i mjeteve nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas, përgjatë tri javëve u devijua në qytetin e Kukësit përmes tri hyrjeve dhe një dalje.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk u shënuan incidente që kishin të bënin me pengesa në qarkullim për shkak të fluksit, ndërsa u arrit të mirëmenaxhohej siç duhet e me një orar të paracaktuar për mjetet e vogla dhe ato të transportit të mallrave.

Ura e Madhe lidh Rrugën e Kombit dhe dy brigjet e liqenit të Fierzës dhe konsiderohet si një nga urat me hapësirën më të madhe në Ballkan në tipologjinë e saj./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending