Aktuale
Interkonjeksioni Shqipëri-Kosovë, lobim për të zgjidhur ngërçin me Serbinë

Shqipëria do të vazhdoj të lobojë pranë partnerëve ndërkombëtare për të vënë sa më parë në funksion linjën e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri.
Ky ka qenë premtimi i bërë nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri priti në takim Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Valdrin Lluka me të cilin u diskutua edhe për mundësinë e një tregu të përbashkët energjetik.
Ministri Lluka vuri theksin tek perspektiva e bursës shqiptare të energjisë dhe përfshirja e Kosovës në të.
“Diskutuam tregun e përbashkët, bursën shqiptare të energjisë, pjesë e të cilës do të jetë edhe Kosova. U angazhuam që grupet të jenë më aktive për intensifikimin e punës mes dy shteteve në drejtim të integrimit të dy tregjeve energjetike. Transmisioni i Kosovës do të jetë pjesë e bursës shqiptare në formë aksionari dhe grupi i punës do ti definojë më tej detajet”, ka thënë shpreh Lluka.
Bursa Shqiptare e Energjisë do të shërbej në rritjen e qarkullimit, rritjen e konkurueshmërisë, si dhe do të përmbushë një nga kriteret që dalin nga masat e buta në kuadër të procesit të integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Lluka vlerësoi se linja e transmetimit Kosovë-Shqipëri mbetet jo aktive për shkaqe politike.
“Vjen për shkak të problemeve që ne kemi me Serbinë. Shqipëria do vazhdojë të na përkrahë në këtë drejtim. Kjo është mjaft e rëndësishme pasi anëtarësimi në Organizatën Evropiane të Operatorëve të Transmisionit i mundëson Kosovës, përkatësisht KOSTT-it, që të pjesë e tregut rajonal dhe të përfitoj nga alokimi i kapaciteteve ndërkufitare”, sqaroi Lluka.
Nga ana e tij, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri theksoi pas takimit se ishte një bashkëbisedim i frytshëm mes dy delegacioneve dhe që i paraprin mbledhjes së përbashkët të qeverive.
“Kemi një punë të mirë të nisur tashmë me Kosovën për krijimin e tregut të përbashkët energjetik. Vendosëm të riaktivizojmë grupet e punës për ecjen përpara drejt unifikimit të tregjeve. U diskutua vazhdimi i procesit të krijimit të Bursës energjetike në Shqipëri dhe gatishmëria e Kosovës për të marrë pjesë në të”, nënvizoi Gjiknuri.
Më tej Gjiknuri tha se u diskutua edhe problemi i vënies në funksionim të linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, një investim i rëndësishëm nga vende të Bashkimit Evropian, projekt në kuadër të interkonektivitetit dhe në thelb të integrimit të vendeve tona, i cili është kthyer në problem.
“Shqipëria do të luajë rolin e mbështetësit për këtë projekt, do të lobojmë fort të dy vendet që në çdo forum ku të jemi tua vëmë në dukje partnerëve evropianë se vënia në punë e kësaj linje është alfa dhe omega e çdo gjëje për integrimin energjitik të dy vendeve. Do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të ngrihet në nivelet më të larta”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Dy ministrat u angazhuan për harmonizimin e mëtejshëm të veprimeve për vendosjen në funksionim të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes dy vendeve.
Gjatë takimit, delegacionet e të dyja vendeve u pajtuan që të riorganizohen Grupet Punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë, caktimin e koordinatorëve në nivel politik që të nxisin procesin dhe përcaktimin e hapave ligjore për krijimin e Tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri.
