Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s mbajti dje mbledhjen e fundit për vitin 2021, por nuk arriti të zgjidhë çështjen e përfaqësimit të Kosovës pa UNMIK-un.
Si pikë e parë e rendit të ditës u paraqit për shqyrtim letra e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, drejtuar kryesuesit të radhës së CEFTA-s, Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut. Letra, e dërguar më 24 shtator 2021, kërkon që Republika e Kosovës të përfaqësojë veten në CEFTA pa përfshirjen e UNMIK-ut.
UNMIK-u, si mision i përkohshëm i OKB-së, ka nënshkruar Marrëveshjen e CEFTA-s më 2006 në emër të Kosovës. UNMIK-u asokohe ka deponuar deklaratë sipas të cilës vlefshmëria e marrëveshjes së CEFTA-s do të varet nga autoritetet e ardhshme të Kosovës.
Tani që UNMIK-u nuk mban më pushtet ekzekutiv në Kosovë, Ministrja Hajdari ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të përfaqësojnë veten si palë e barabartë. Parimi i barazisë, mosdiskriminimit dhe transparencës është garanci për të ecur përpara drejt zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe integrimit në BE.
Në elaboratin e saj, përkundër refuzimit dhe pengesës së ashpër të palës serbe, Ministrja Hajdari rikujtoi përkushtimin e Kosovës për të përmbushur detyrimet nga CEFTA, andaj këmbënguli se Kosova duhet të gëzojë të drejtën e trajtimit të barabartë.
Ministrja Hajdari shtoi se letra për përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un nuk duhet të shihet si çështje politike, por si domosdoshmëri për të lehtësuar funksionimin e CEFTA-s qe do te lehtësojë zgjidhjen e shumë çështjeve tregtare të pazgjidhura dhe përshpejtojë integrimin ekonomik rajonal.
Shqyrtimi i letrës u kundërshtua nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët pretenduan se nuk kanë dhënë pëlqimin që letra të futet në rend të ditës, ndërsa Ministri Bekteshi si kryesues i mbledhjes, nuk lejoi që ndërhyrjet e ashpra dhe të vazhdueshme të palës serbe t’ia pamundësojnë Ministres Hajdari që të arsyetojë pjesëmarrjen e Kosovës si palë e barabartë, pa UNMIK-un./Media Ndërtimi.