Aktuale
Restauranti pushton Kalanë e Vushtrrisë
Vushtrria konsiderohet prej vendeve më të vjetra në Kosovë. Në mes të qytetit ka një kala e cila i shton vlerën këtij qytetit, përkrah një ure të vjetër që është në fillimperiferinë e qytetit.
Mirëpo, Kalaja e Vushtrrisë më nuk do të jetë vend ku do të zhvillohen aktivitetet kulturore. Aty do të shërbehet kafe, pije, ushqim e padyshim edhe qaj, për të cilin njihen banorët e Vushtrrisë.
Këtë lajm e ka bërë të ditur drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Vushtrrisë, Shpresa Rama. Ajo me anë të një deklarimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve e ka dhënë Kalanë e Vushtrrisë në shfrytëzim pa asnjë paralajmërim.
Ndertimi.info ka telefonuar udhëheqësin e këtij instituti, Agim Gërguri, i cili ka kërkuar t’i dërgohen pyetjet me e-mail, që këtë të fundit nuk e ka kthyer as pas 16 orësh.
Ai në vend të përgjigjeve ka dërguar një reagim ndaj postimit të drejtoreshës Shpresa Rama, ku ndër të tjera konfirmon dhënien e hapësirës në shfytëzim për gastronomi – rastaurant.
“Fillimisht, me rekomandimin e Komisionit Profesional për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave dhe Projekteve Konservuese-Restauruese të Trashëgimisë Kulturore i cili funksionon brenda IKMM-së, është shqyrtuar, vlerësuar dhe aprovuar të gjitha ndërhyrjet që propozohen me projektin për restaurim të Kalasë, në të cilin përfshihet edhe mirëmbajtja e vazhdueshme me qëllim të ndalimit të degradimit. Po ashtu, pjesë e projektit, ka qenë edhe vënia në funksion e një hapësire për shfrytëzim në fushën e gastronomisë nga ana e investitorit. Për këtë projekt ekziston edhe Vendimi përkatës i IKMM-së, si institucion kompetent, mbi aprovimin e projektit në të cilin është i arsyetuar në detaje karakteri dhe arsyeshmëria e ndërhyrjeve që janë propozuar/projektuar”, shkruan ndër të tjera Gërguri. Por, në fund ai thotë se nuk është shndërruar kalaja në restaurant.
“Të gjitha parametrat e qasjes së lirë të vizitorëve, vënies në dispozicion të hapësirave për ta vizituar monumentin i kemi siguruar. Është e pavërtete e madhe që Kalaja e Vushtrrisë është shndërruar në restorant”, tha ai.
Kalaja e Vushtrrisë është ndërtuar në shekullin VII, gjatë epokës bizantine dhe konsiderohet një prej vlerave të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore që i ka mbijetuar periudhave të ndryshme. Ky objekt është në listën e prioriteteve të MKRS-së dhe është nën mbrojtje.
Në ndërkohë një karikaturë ka çelur mëngjesin e ditës së shtunë ku e tregon më së miri shndërrimin e kalasë në restaurant.
You must be logged in to post a comment Login