Për të zhvilluar aftësitë elektronike dhe inxhinierike të fëmijëve, një sipërmarrës nga Kosova ka lansuar një produkt inovativ.
Arta Shehu Zaimi është një sipërmarrëse e re nga Kosova. Pasi u diplomua për shkenca kompjuterike, ajo iu bashkua një banke tregtare si zhvilluese dhe më vonë u avancua për të qenë arkitekte softuerësh. Megjithatë, ajo shpejt u bë nënë dhe botëkuptimi i saj ndryshoi, së bashku me vizionin e saj profesional, dhe vendosi të nisë një përpjekje paksa të ndryshme biznesi.
“Gjithmonë e kisha këtë keqardhje që mua, si shumë prej brezit tim, më është dashur të luftoj për të mësuar gjërat në mënyrë praktike dhe ndjeva nevojën për të bërë diçka që vajzat e mia dhe brezi i tyre të mos përjetojnë beteja të ngjashme,” thotë Arta.
Kjo është arsyeja pse, në vitin 2015, Arta dhe motra e saj vendosën të nisin J-Coders Academy, një kurs privat ku fëmijët nga 8 deri në 18 vjeç mund të mësojnë gjuhë programimi, dizajn aplikacionesh dhe dizajn lojërash kompjuterike. Parimi i J-Coders Academy është t’u mësojë fëmijëve këto koncepte me sa më shumë ushtrime praktike.
“Ne besojmë se shkenca dhe teknologjia duhet të mbahen reale dhe të lehta për t’u mësuar nga fëmijët, duke i inkurajuar ata të zgjidhin problemet dhe të mendojnë jashtë kutisë.”, thekson Arta Shehu Zaimi, bashkëthemeluese e Labbox.
Megjithatë, gjatë punës së tyre në Akademinë J-Coders, Arta dhe motra e saj mësuan se fëmijët kishin vështirësi në kapjen e njohurive në një fushë të caktuar – inxhinieri harduerike dhe elektronikë. Kjo për shkak se qasja ekzistuese nuk ofronte një mjedis të thjeshtë për fëmijët për të eksperimentuar në këtë fushë të rëndësishme. “Ne besojmë se shkenca dhe teknologjia duhet të mbahen reale dhe të lehta për t’u mësuar nga fëmijët, duke i inkurajuar ata të zgjidhin problemet dhe të mendojnë jashtë kutisë,” thotë Arta.
Kështu lindi ideja e Labbox-it, të cilin Arta e konsideron një produkt revolucionar. Labbox përbëhet nga kuti të vogla që përfshijnë qarqe, lidhës kabllosh dhe materiale të ngjashme që lejojnë fëmijët të eksperimentojnë në projekte inxhinierike dhe elektronike në shkallë të vogël.
Pasi u zhvillua produkti fillestar, ai iu prezantua një grupi prindërish dhe partnerësh. Produkti u prit mjaft mirë dhe Arta dhe motra e saj vendosën ta kthenin në biznes. Megjithatë, ky ishte një lloj i ri i biznesit për Kosovën dhe rajonin dhe kishte shumë sfida. Në veçanti, ata kishin probleme me prodhimin fizik të njësive të tyre. “Rajoni ynë nuk është një mjedis shumë miqësor për kompani të tilla si Labbox që ofrojnë produkte fizike elektronike. Ne u përballëm me probleme serioze në gjetjen e furnitorëve apo kompanive partnere që do të merrnin përsipër prodhimin”, thotë Arta./Media Ndërtimi.