Aktuale
Inspektohet pastrimi i spitaleve nga ndërtimet pa leje
Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, inspekton nga afër pastrimin e Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli” nga të gjitha ndërtimet pa leje.
Lidhur me këtë proces ajo u shpreh se “aksioni ka nisur në të gjithë vendin dhe ka për qëllim pastrimin e territorit brenda dhe jashtë spitaleve. Ky aksion po kryhet në bashkëpunim me IKMT dhe institucionet vendore”.
Sipas ministres, faza e parë ishte verifikimin i ngrehinave, objekteve dhe lokaleve që nuk kishin asnjë lidhje me spitalet. Ajo nënvizoi se u evidentuan 1132m2 të zëna me objekte te cilat nuk ishin ne funksion te spitalit.” Këto objekte do të prishen nëpërmjet këtij aksioni i cili do të zgjas 100 ditë dhe do shtrihet në të gjithë vendin”.
Më tej ajo nënvizoi se, i njëjti plan do të vazhdojë edhe brenda territoreve të spitaleve dhe se e reja më e fundit është prezantimi i uniformave të reja për stafin mjekësor të spitalit ‘Xhaferr Kongoli’ në Elbasan. Sepse sipas saj, ky është një aksion për të ndryshuar faqen e spitaleve, si për qytetarët, ashtu edhe për stafin mjekësor.
E pyetur se çfarë do ofroje Ministria për gratë e diagnostikuara me kancer gjiri, pasi muaji tetor është përcaktuar si fushatë sensibilizuese për sëmundjen e shekullit me të cilën luftojnë mijëra gra në vendin tonë ajo u shpreh se “Ministria ka objektivat e saj dhe jo vetëm për tetorin si muaj sensibilizimi. Ministria do të hartojë një kalendar për mamografët lëvizës në çdo qytet të Shqipërisë. Ndërsa klinikat që e kanë do të qëndrojnë të hapura edhe pasdite”.