Kosova ende përfaqësohet në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) përmes UNMIK-ut. CEFTA është një marrëveshje tregtare midis shtatë vendeve të Evropës Juglindore: Shqipërisë, Serbisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi (Ballkani Perëndimor Gjashtë) dhe Moldavisë, dhe shërben si një mekanizëm shtytës për bashkëpunimin ekonomik rajonal.
Kosova, nën përfaqësimin e UNMIK-ut, iu bashkua CEFTA-s në vitin 2007. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova intensifikoi rezistencën ndaj përfaqësimit të UNMIK-ut duke mos marrë pjesë në takimet ku kërkohej pjesëmarrja e UNMIK-ut.
Në anën tjetër, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shtuan përpjekjet e tyre për të penguar pjesëmarrjen e Kosovës dhe bllokuan hyrjen dhe tranzitin e produkteve të Kosovës. Në kuadër të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga BE-ja, u jetësua Marrëveshja për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal (Marrëveshja e vitit 2012).
Kjo marrëveshje lehtëson pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale, duke i mundësuar asaj që të përfaqësohet me denominimin ‘Kosova*’. Pas vitit 2012, Kosova arriti të zëvendësojë UNMIK-un me denominimin e ri në disa iniciativa: Zona e Përbashkët Evropiane e Aviacionit (ECAA) dhe Komuniteti i Energjisë, por jo në CEFTA. UNMIK-u, në fakt, pushoi së marruri pjesë në takimet e nivelit teknik të CEFTA-s, por vazhdon të marrë pjesë në takimet vendimmarrëse (takimet e Komitetit të Përbashkët). Kosova është përpjekur pa sukses, për të hapur çështjen e përfaqësimit në formate të ndryshme të bashkëpunimit rajonal, megjithatë ndryshimi i përfaqësimit nuk ka ndodhur dhe ai mbetet sfidues ende.
Tre shtete anëtare të CEFTA-s (Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia) refuzojnë përfaqësimin e plotë të Kosovës në CEFTA, qeveria e Kosovës nuk arriti të angazhohej në mënyrë proaktive në proces, dhe BE-ja kurrë nuk e ka trajtuar këtë çështje me prioritet, edhe pse është thellësisht e përfshirë në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, e detyron vendin të vazhdojë të zbatojë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore. Iniciativat e tjera nën Procesin e Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) dhe Zona Ekonomike Rajonale (REA), rrjedhin nga detyrimet që burojnë prej CEFTA-s. Por trajtimi i pabarabartë i Kosovës ka vënë në pikëpyetje çdo iniciativë të re të ndërtuar mbi kornizën aktuale të CEFTA-s.
Ajo madje ka çuar në një propozim të ri nga Kryeministri i Kosovës, avancimin në SEFTA (ose Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Juglindore). Kosova duhet të jetë në gjendje të përfaqësojë veten në të gjitha forume rajonale, Përfaqësimi i Kontestuar i Kosovës në CEFTA 5 përfshirë CEFTA-n, si një nga më të rëndësishmet.
Qeveria duhet të punoj në fronte të ndryshme për të mobilizuar mbështetjen për ndryshimin e preambulës, Nenit 1 dhe 4 të Marrëveshjes së CEFTA-s. Kjo përfshinë avokim në nivel ndërkombëtar, Evropian dhe rajonal, para se të ndërmerren hapa konkret siç është inicimi i ndryshimit të Marrëveshjes; e cila ka të ngjarë të dështojë si proces më vete.
Kosova duhet të angazhohet vazhdimisht dhe në mënyrë proaktive në dialogun me Serbinë, për të kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për të përparuar drejt një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Roli i BE-së është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Angazhimi i BE-së është kanali më premtues që Kosova mund të përdorë për të hequr me sukses përfaqësimin e UNMIK-ut nga CEFTA.
Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë një qasje proaktive dhe të ndërmarr një sërë veprimesh për të fituar mbështetje për inicimin e largimit të UNMIK-ut nga CEFTA. Ky është një proces i gjatë dhe kompleks, i cili kërkon mobilizimin e vullnetit politik dhe burimeve, por edhe koordinim, bashkëpunim dhe konsistencë.
(Ky raport është realizuar nga Grupi për Ballkan që është organizatë jo-qeveritare, e pavarur, jopartiake, e përkushtuar për të kontribuar në shtet-ndërtimin dhe harmoninë shoqërore në Kosovë dhe për të lehtësuar pajtimin shtetëror në Kosovë dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.)./Media Ndërtimi.