Sipas vendimit të Gjykatë Kushtetuese të Kosovës, Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Ajo e refuzon vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan.
Gjykata Kushtetuese përcakton gjithashtu se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së Manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (aktvendim i plotfuqishëm).
Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.
Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.
Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur të Manastirit dhe ato janë ndërprerë disa herë, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 është duke u vonuar.
Shtetet e Quint-it shprehin shqetësimin e tyre lidhur me moszbatimin e vendimit, sa i përket tokës së Manastirit të Deçanit, duke thënë se mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese minon zotimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e gjyqësorit të pavarur.
“Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike, të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”, thuhet në reagimin e përbashkët të ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Quint-i e fton Qeverinë e Kosovës që t’i lërë anash mospajtimet politike dhe “t’i përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike”, si dhe “t’i zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”./Media Ndërtimi.