Gjykata Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish– ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ish- zëvendësministrit të kësaj ministrie, kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetarit të kësaj komune Hajdin Berisha, Drejtorit të Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Bashkim Krasniqi, shefit të Gjeodezisë në Komunën e Malishevës Malë Kasniqi, inspektorit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanajt.
Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar avokati Emrush Kastrati.
Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 23 shtator 2021, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohen.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Bleu arin 10 centë në Malishevë, e shiti për 25 euro. Prokuroria në korrik kishte ngritur aktakuzë ndaj 8 personave për keqpërdorim me shit-blerje të tokës në zonën ekonomike të Malishevës një hapësirë kjo prej 90 hektarë tokë. Një pjesë nga kjo tokë e kishte privatizuar në vitin 2007, biznesmeni Ahmet Rrahmani.
Për një ari tokë të privatizuar nga AKP-ja, Rrahmani, sipas dyshimeve të prokurorisë speaciale, e pagoi 10 centë. Kurse e shiti më pas 25 euro.
Gjithë ky proces i privatizimit, të tokës së shtetit dyshohet se nuk kaloi fare përmes Kuvendit Komunal të Malishevës.
Për këtë arsye nisen hetimet nga Prokuroia Speciale, ndaj udhëheqësve të Komunës së Malishevës, ish ministrit të Tregtisë, dhe disa zyrtarëve komunal./Media Ndërtimi.