Drilon Maliqi është shef i prodhimit në fabrikën Valimpex në Çagllavicë, Komuna e Graçanicës.
Kjo komunë, me popullsi shumicë serbe, ndodhet jo shumë larg kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës.
Fabrika, ndër të tjera, merret me prodhimin e folieve të kuzhinës. Ka rreth 30 punëtorë, por në prodhim janë të punësuar vetëm serbë nga fshatrat e Komunës së Graçanicës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Gjithsej janë shtatë dhe një prej tyre është Nemanja Gjorgjeviq, 24 vjeç. Ai ka filluar të punojë në Valimpex pesë vjet më parë, gati menjëherë pasi ka mbaruar shkollën e mesme.
Ai thotë se është i kënaqur që ka një punë dhe se puna në prodhim nuk është e vështirë.
“Nuk e shoh veten duke punuar në kafene. Më mirë kështu. Po, punoj te shqiptarët, por të gjithë njerëz jemi. Rëndësi ka të kesh një punë, të punosh, të mbijetosh”, thotë Nemanja për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka mësuar edhe bazat e gjuhës shqipe, kështu që mund të komunikojë pa problem me kolegët shqiptarë.
“Pak nga pak kam mësuar. Jo gjithçka, por të kuptohemi”, thotë Nemanja, me të cilin Radio Evropa e Lirë ka biseduar në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e cila shënohet çdo 16 nëntor.
Komuna e Graçanicës është njëra nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo njëra nga gjashtë komunat me shumicë serbe që nuk kanë lidhje gjeografikisht. Katër komunat e lidhura territorialisht janë në veri të Kosovës.
Çështja e pozitës së komunitetit serb është temë e negociatave që zhvillojnë Kosova dhe Serbia tash e dhjetë vjet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Një nga çështjet që po bllokon procesin e negociatave është mosformimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi insiston në krijimin e tij, ndërsa Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.
Larg zyrave dhe sallave të konferencave, ku zhvillohen negociatat, vitet kalojnë për qytetarët e të dyja kombësive.
Shefi i Nemanjës është shqiptari Drilon Maliqi, i cili flet dhe kupton pak gjuhën serbe. Ai thotë se nuk e kanë asnjë problem në komunikim./Media Ndërtimi.