Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së premtes, mbrojtja ka propozuar prova të reja, në rastin ku për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, po akuzohen Arben Bashota dhe vëllezërit Osman e Sylejman Bajrami.
Tre të akuzuarit, në vitin 2019 ishin shpallur fajtorë, por ky aktgjykim ishte prishur nga Apeli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së premtes, mbrojtësi i të akuzuarit Arben Bashota, avokati Ilir Hoxha ka propozuar disa prova të reja, të cilat janë mbështetur nga mbrojtësit e të akuzuarve Osman dhe Bajram Sylejmani, avokatët Blerina Kurtaj dhe Isa Ostdautaj.
Ndërsa, prokurorja Merita Bina-Rugova ka kërkuar shtyrjen e seancës në mënyrë që të deklarohet lidhur me provat e mbrojtjes, propozim të cilin e mbështetën të dëmtuarit.
Ndryshe, fillimisht në këtë seancë i dëmtuari Murat Tërnava si provë ka propozuar një aktvendim të Gjykatës së Apelit, e cila është kundërshtuar nga mbrojtja si e parëndësishme dhe e papranueshme.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi me vendim e ka aprovuar propozimin e prokurores Bina-Rugova dhe seancën e ka shtyrë deri më 23 nëntor 2021.
Në seancën e së enjtes, është bërë administrimi i provave materiale në këtë gjykim.
Ndryshe, më 6 maj 2019, tre të akuzuarit ishin shpallur fajtorë, ku për veprën penale të detyrimit, lidhur me veprën penale të bashkimit kriminal, i akuzuari Bashota ishte dënuar me 6 vjet burgim, Osman Bajrami ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Sylejman Bajrami ishte dënuar me 3 vjet burgim.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i kryesuar atëherë nga gjykatësi Arben Hoti, kishte bërë të ditur së kanë rikualifikuar veprën penale të krimit të organizuar, për çka akuzoheshin të pandehurit nga PSRK-ja, në veprën penale “Detyrimi”, lidhur me veprën penale bashkim kriminal.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 gusht 2016, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, tre të akuzuarit së bashku me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, dhe me disa persona të tjerë të paidentifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare kishin kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit, që nga viti 2004 kishin bërë presione të vazhdueshme në të dëmtuarit Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani, që ta lirojnë pronën kontestuese në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh e cila gjendet në Fushë-Kosovë, të cilën pronë e kishte marrë në shfrytëzim i dëmtuari Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.
Në këtë pronë, të dëmtuarit kishin ndërtuar objekte në vlerë prej më shumë se 5 milionë euro./Media Ndërtimi.