Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha ia ka refuzuar Avokaturës Shtetërore kërkesën për qasje në shkresat që i kanë paraprirë kontratës së nënshkruar mes NPB-së dhe kompanisë private Made Group Construction, lidhur me projektin milionësh afaristo-banesor të NPB-së në Lakrishtë mbi të cilin rëndojnë akuza publike për shkelje ligjore dhe procedurale, raporton gazetari i mediumit publik, Arsim Halili, i cili sjell dokumente në lidhje me këtë çështje.
“Njoftimin e ka bërë të ditur Avokatura Shtetërore pas kërkesës sime për qasje në dokumente publike që ia kam parashtruar javën e kaluar krahas katër institucioneve të tjera.
Sipas përgjigjes së siguruar, me arsyetimin se i përgjigjet vetëm Komunës së Prishtinës, z. Hoxhaj nuk ka pranuar t`i hap letrat, të cilat në fakt do të duheshin të ishin të qasshme edhe për publikun e gjerë.
Kujtojmë se NPB-ja është ndërmarrje publike, jo private. Kryeshefi ekzekutiv, Hajdar Hoxha është zyrtar i lartë publik ndërsa sipas deklarimit e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit Hoxhaj paguhet nga taksat e qytetarëve rreth 23 mijë euro në vit neto ose rreth 2 mijë euro për muaj.
Sipas kornizës ligjore, çdo institucion publik, obligohet të ofrojë transparencë, madje t`i publikojë vetë dokumentet ne web-faqe dhe të ofrojë qasje të lirë në informata për këdo, qoftë edhe për një qytetar të zakonshëm.
Ligji nr. 06/L-081 për qasje në dokumente publik, neni 5 thekson se “Institucionet publike detyrohen të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, përmes publikimit në ueb faqen zyrtare të institucioneve publike, pavarësisht kërkesës së personit për qasje”.
Sa i përket transparencës, Hoxhaj ka pasur problem edhe me Bordin e NPB-së.
Madje “mosgatishmëria e kryeshefit ekzekutiv për bashkëpunim dhe transparencë ndaj Bordit të drejtorëve, mosllogaridhënie dhe mosinformim” ka qenë ndër arsyet kryesire që ky Bord më 14 tetor 2021 unanimisht mori vendim për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxha ndonëse ky i fundit thoshte publikisht se ka “transparencë radikale”.
Sipas Bordit, vendimi për shkarkim është pamundësuar të protokollohej nga Hoxhaj dhe dy (Dren Kukaj, Genc Sherifi) nga tre anëtarët e Komisionit të aksionarëve të zgjedhur nga kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës.”, ka shkruar gazetari, Arsim Halili./Media Ndërtimi.