Gjykata Themelore e Prishtinës, ka caktuar ekspertizë gjeodezike në seancën e së enjtes, në rastin ku paditësi – subjekti juridik “Oti-com” Sh.p.k p, po kërkon kompensim të dëmit nga Komuna e Prishtinës-Drejtorati për Urbanizëm dhe anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Propozimin për caktimin e kësaj ekspertize e ka bërë përfaqësuesi i paditësit, avokati Arben Kelmendi, pas pranimit të ekspertizës financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E kam pranuar ekspertizën, e po ashtu referencën e tij se duhet të caktohet një ekspert gjeodet i licencuar, pasi që i njëjti pa ndihmën e një eksperti nga lëmia e gjeodezisë nuk ka pasur mundësi me përmbyll ekspertizën, sipas detyrave të dhëna në gjykatë, andaj propozojmë nxjerrjen e provës me ekspertin nga lëmia e gjeodezisë”, tha avokati Kelmendi.
Tutje, Kelmendi ia dorëzoi gjykatës provat me të cilat vërtetojnë se paditësi ka kryer të gjitha obligimet e kërkuara nga ana e Komunës, e të cilat kapin shumën totale 393 mijë e 603 euro, si dhe pagesën e korporatës energjetike për kyçje në rrjetin e distributorit në vlerë prej 11 mijë e 692 euro e 80 centë.
Avokati Kelmendi ka deklaruar se Kompania “Oti-com” Sh.p.k i ka paguar taksë deri më tani drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës taksë në vlerë prej 400 mijë euro.
Madje, sipas fotografisë më poshtë, avokati Kelmendi thekson se Objekti i Kompanisë të cilin e përfaqëson, është larguar në bazë të ligjeve nga rruga, teksa një gjë e tillë nuk vlenë për objektin tjetër të ndërtuar në cep të rrugës.
Në këtë seancë mungoi prezent pala e paditur, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila sipas gjykatëses Sadiku është ftuar në mënyrë të rregullt.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 18 qershor 2015, subjekti juridik – “Oti-com” Sh.p.k p, po kërkon kompensim të dëmit nga Komuna e Prishtinës-Drejtorati për Urbanizëm.
Ndërsa, me precizimin e padisë më 2 shkurt 2021, paditësi ka paditur Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, lidhur me vendimin e lëshuar nga ky organ.
Në vendimit e të paditurës thuhet kërkesa e paditësit është refuzuar me arsyetimin se pas shqyrtimit të ankesave është vërtetuar se nuk është plotësuar dokumentacioni i kërkuar.
Sipas padisë, e paditura nuk ka lëshuar lejen e ndërtimit të Bllokut I deri në ngritjen e kësaj padie, edhe pse paditësi disa herë ka kërkuar lëshimin e lejes së ndërtimit në formë të shkruar dhe gojarisht në takime zyrtare me personat kompetent.
Në padi thuhet se për shkak të mos lëshimit së lejes së ndërtimit të objektit Kalabria B-1, paditësi ka pësuar dëm material dhe jo material për shkak të prishjes së materialit ndërtimor, pagesës së qirasë të blerësve të banesave, pagesat e punëtorëve, shpenzimet lidhur me sigurimin e objekteve dhe mirëmbajtjes./Media Ndërtimi.