Aktuale
Haradinaj i rrethuar nga biznesmenët e mëdhenj të Kosovës u ofron përkrahje
I pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim tatimpaguesit më të mëdhenj, firma e kompani prodhuese në vend, me të cilët bisedoi rreth sfidave që përballen ata gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Në këtë takim bizneset paraqiten një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë, e ku këtu kërkuan edhe ndihmën e Qeverisë për tejkalimin e tyre.
Haradinaj, iu është falënderuar bizneseve për kontributin që po japin në buxhetin e vendit, duke thënë se kjo hap rrugë për rrugë për vende të reja të punës.
Kryeministri u ofroi përkrahjen e Qeverisë përfaqësuesve të pranishëm të bizneseve që janë tatimpaguesit më të mëdhenj në Republikën e Kosovës, në zhvillimin e biznesit të tyre përmes lehtësirave të ndryshme tatimore, duke u premtuar atyre edhe shkurtimin e procedurave administrative.
Tutje ai theksoi se qëllimi i Qeverisë është që në partneritet me bizneset të ndihmojë në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.
Përfaqësuesit e bizneseve theksuan nevojën e reformave në arsim, ngritjen e kuadrove profesionale dhe të kualifikuar për punë, për të cilët ka nevojë tregu i punës në Kosovë, sigurimin e produkteve bujqësore, lirimin nga dogana të pajisjeve të cilat përdoren për prodhimet vendore, luftimin e informalitetit dhe çështje të tjera të cilat janë të rëndësishme për bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Nga ana e tij, kryeministri Haradinaj u premtoi tatimpaguesve se do të marrë parasysh të gjitha kërkesat e tyre dhe përmes dikastereve përkatëse do t’i adresoj për t’ju dhënë zgjidhje, duke iu ofruar partneritet dhe transparencë të plotë.