Për të tretën ditë radhazi pranë trupit gjykues të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Pejës është duke vazhduar dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve në gjykimin për krim të organizuar, korrupsion dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e sotme të akuzuarit Ramush Musliu, Shemsedin Qerimi, Fatmir Halili, Qefsere Sadriu-Limani, Basri Kqiku, Selvije Mustafa-Shefkiu, Selver Xhelili, Merita Canaj-Shabani, Naser Sylejmani, Asllan Syla dhe Zeqirja Fazliu deklaruan se dëshirojnë të mbrohen në heshtje. Kështu me këta 11 të akuzuar arrin në 25 numri i të akuzuarve që po e shfrytëzojnë të drejtën e mbrojtjes në heshtje.
Gjykimi tutje vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit Drita Bajrami-Kajtazi, Ganimete Kastrati dhe Hamdi Ismajli.
Kujtojmë se në seancat e kaluara ka përfunduar dhënia e mbrojtjes nga ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa, si dhe të akuzuarit Hatixhe Daku dhe Vehbi Geci.
Mirëpo, vlen të përmendim se në seancën e datës 11 tetor 2021, gjykata e ka ndaluar publikimin e deklaratave të dhëna gjatë mbrojtjes deri në përfundimin e dhënies së mbrojtjes nga të gjithë të akuzuarit.
Ndryshe, në seancën e djeshme të akuzuarit Avdyl Pireva, Fadil Osmani, Ibrahim Foniqi, Rrustem Hajdari, Mejdi Ahmeti, Enver Biqku, Skender Imeri, Asllan Mustafa, Agim Hoxha, Qemajl Latifi, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Naser Mehmeti dhe Asllan Asllani u deklaruan se do ta shfrytëzojnë të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.
Drejtësia Sot, njofton se seancat e radhës janë caktuar për datën 29 dhe 30 nëntor si dhe me datën 01 dhjetor 2021.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e bizneseve të cekura në aktakuzë.
Më tutje, aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarve, ku ndër të tjera thuhet se Qemajl Mustafa dhe të tjerët akuzohen se nga qershori i vitit 2008, deri në muajin shtator të vitit 2011 me dashje kanë marrë pjesë në aktivitetet kriminale të keqpërdorimit, me dhënien e tenderëve fitimprurës kompanive, për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, sinjalizimeve, etj, duke eliminuar ofertuesit me oferta më të arsyeshme.