“E dua pjesën e pasurisë të prindërve të mi sepse jam vajza e tyre dhe kjo më takon”. Kështu e fillon rrëfimin Shpresa për betejën gati 10-vjeçare që ka me vëllezërit e saj për ndarjen e trashëgimisë familjare.
Shpresa, identiteti i vërtetë i të cilës është i njohur për redaksinë, ka krijuar familjen e saj, ka fëmijë në moshë madhore dhe punon në një nga institucionet publike në Kosovë.
Ajo tregon se pasuria e babait, i cili ka vdekur vite më parë, llogaritet në vlerë të lartë financiare, ku ka shtëpi, lokale dhe disa ari tokë në qendër të njërit nga qytetet më të mëdha të Kosovës, ku një ari tokë llogaritet me mijëra euro.
“Si vajzë e asaj familjeje, si e lindur dhe e rritur në atë shtëpi, unë kam kontribuar ndoshta më shumë se vëllezërit”, thotë Shpresa.
Ajo tregon se vëllezërit në asnjë mënyrë nuk po pranojnë që ta ndajnë pasurinë në mënyrë të barabartë.
“Arsyeja është që të pasurohen për vete dhe është patriarkalizmi në fuqi, dominimi i meshkujve kudo në pasurinë e prindërve”, thotë Shpresa.
Pozita e grave në lidhje me të drejtën e tyre për trashëgimi, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, është e definuar në mënyrë të qartë, ku thuhet se ndarja e pasurisë bëhet në mënyrë të barabartë pa përjashtuar anëtarët në baza gjinore. Ligji për trashëgimin përcakton se “të gjithë personat fizikë, në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”.
Trashëgimtarët ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat.
Por, edhe ligjet sfidohen nga traditat dhe zakonet në Kosovë, pasi kërkesa e motrave për trashëgimi karshi vëllezërve, ende konsiderohet “turp” dhe ato përjashtohen nga familja, thotë Valbona Salihu, drejtoreshë ekzekutive në Shoqatën e Juristëve Norma. Kjo shoqatë ofron ndihmë juridike dhe evokim falas për barazi gjinore.
Në emër të harmonisë familjare, vëllazërore apo edhe për shkak të mashtrimit, frikës nga anëtarët meshkuj përfitues, sipas Salihut, gratë heqin dorë nga trashëgimia.
“Nëse të donë vëllai vetëm për pasuri, nuk të duhet, pasi, në disa raste largohen nga familja. Realiteti është i tillë që nëse e kërkon pasurinë, nuk ke të drejtë të shkosh as te prindërit e lëre më te vëllezërit”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.
Të njëjtin fat ka edhe Shpresa. Që në momentin që ka bërë kërkesë për pronën që i takon, ajo nuk ka kontakte me vëllezërit e saj.
Heqja dorë në mënyrë vullnetare nga trashëgimia është në kuadër të Ligjit për trashëgimi. Në nenin 130 të këtij ligji thuhet se trashëgimtari mund të heqë dorë nga trashëgimia me deklaratë të dhënë pranë gjykatës gjersa të përfundojë seanca mbi trashëgimin. Heqja dorë vlen edhe për pasardhësit e atij që ka hequr dorë.
Por, sipas Salihut, ky nen po keqpërdoret nga vëllezërit, duke kërkuar nga gratë që të mos marrin vendime të shpejta për të hequr dorë nga prona e trashëguar.
“Mendoj që ky nen duhet të ngrihet për një periudhë pesë ose 10-vjeçare, kur të përmirësohet gjendja, të vetëdijesohen burrat dhe gratë për barazi gjinore në prona, e vetëm atëherë të kthehet prapë”, thekson ajo./ Media Ndërtimi.
Reportazhi: Radio Evropa e Lirë
Fotografia në ballinë: BUJAR TËRSTENA