Në mungesë të dy të akuzuarve ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani dhe të akuzuarit tjetër Agim Deshishku, si dhe mbrojtësve të tyre, ka dështuar sërish të nis rigjykimi për korrupsion, në rastin e njohur si “FAN”.
Osmani bashkë me zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu, po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Ndërsa i akuzuari Agim Deshishku po gjykohet për legalizim të përmbajtjes së rreme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ldhur me mungesën në seancë, i akuzuari Osmani përmes mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha ka njoftuar gjykatën se nuk do të jetë prezent në seancën e së martës, për çka mungesën e kishte arsyetuar. Në seancë mungoi edhe avokati Berisha.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për datën 28 tetor 2021.
Naser Osmani, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu ishin shpallur të pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN”.Kurse, biznesmenit Agim Deshishku, i cili ishte dënuar nga shkalla e parë për mashtrim në vazhdimësi dhe shmangie nga tatimi, Apeli ia kishte vërtetuar dënimin. Megjithatë, edhe Deshishku do të rigjykohet për sa i përket veprës penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme në vazhdimësi, për të cilën akuzë ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë.Gjykata e shkallës së dytë, vendimin për këtë rast, e kishte bërë të ditur me 4 mars të vitit 2020.
Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi, si kryesues të Njësisë së Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Wrsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro./ Media Ndërtimi.