Vetëm në katër vjetët e fundit, shumë kryetar dhe zyrtarë të Komunave janë përballur me akuzat për korrupsion pasi që familjarëve të tyre ua kanë mundësuar të fitojnë tenderët e ‘kurdisur’ dhe i kanë punësuar ata në nivelet komunale.
Haki Rugova, kryetar i Istogut, është dënuar më 14 qershor të këti viti nga Gjykata me një vit burgim efektiv.
Ai akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.
Është kryetari i Malishevës, Ragip Begaj i cili në mandatin qeverisës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar sepse siç thuhet në aktakuzë nga data 06.07.2018 – në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R., dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.
Gjithnjë sipas akuzës, i njëjti e ka kryer këtë vepër penale në atë mënyre që më datë 07.11.2018 ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, që fillimisht i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të shkollës në fshatin Panorc ku një pjesë e objektit te shkollës ishte planifikuar të ndërtohet në prone private.
Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit dhe zyrtarë të tjerë po hetohen për korrupsion
Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh.
“Tenderi i dyshimtë për familjen e ministrit” është titulli që kishte shpërthyer në mediat vendase rreth një hulumtimi ku tregon se si Komuna e Malishevës, e cila qeveriste nga Nisma Socialdemokrate, ia ka dhënë tenderin për ndërtimin e një shkolle në këtë komunë, kompanisë së vëllait të ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Ish-ministri Krasniqi ishte pjesë e stafit të kompanisë që ka ofertuar për tender dhe në të kaluarën edhe shef i Urbanizimit në Komunën e Malishevës.
Punët me Prokurimin dhe Gjykatat rreth akuzave për korrupsion nuk i kanë mirë as disa prej kryetarëve dhe zyrtarëve tjerë komunal të cilët ishin në garë vite më parë në Zgjedhjet Komunale, e të cilët në vazhdimësi përballë votuesve kanë kërkuar që të votohen me synimin që të mos pasurohen ose dëmtojnë buxhetin e Komunave./ Media Ndërtimi.