Plazhet e Kallmit, shumë pranë Durrësit, i kanë shpëtuar ndërtimeve pa kriter falë mungesës së një rruge.
Përvoja e zonave të tjera bregdetare, si Golemi në jug të qytetit, apo Shën Pjetri në pjesën veriore të tij, dëshmojnë se përmirësimi i dukshëm i infrastrukturës rrugore ndikoi në zhvillimin me përpjesëtime negative në këto hapësira, ku ndërtimi pa kriter vazhdon të dëmtojë mundësitë e turizmit.
Kallmi, që përfaqëson 4-5 km vijë bregdetare të një lloji krejtësisht të veçantë, sipas specialistëve është ruajtur në pjesën më të madhe të tij për shkak të rrugës që e përshkon, e cila nga Currilat në Porto Romano vazhdon të ruajë parametrat e viteve 1990.
Por çfarë pritet të ndodhë me plazhet intime prej shkëmbinjsh e zhavorresh që kanë pamjen e një riviere në pjesën shqiptare të detit Adriatik?
Bashkia e Durrësit ka hapur tashmë një tender për studimin e një aksi rrugor për të cilën flitet prej kohësh, dhe që duhet të bashkojë rrugën “Aleksandër Goga”, në krahun lindor të kodrave të qytetit, me atë të Currilave në bregdet.
Qëllimi themelor për të shkurtuar distancën dhe për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve në të dy anët e qytetit, nuk mund të shmangë zgjatjen e saj drejt veriut, pikërisht në bregdetin ende të pacenuar të Kallmit, raporton Reportet.al.
4-5 km e zonës kodrinore, të cilat u janë rikthyer pronarëve të viteve 1930, aktualisht vizitohen nga një numër i kufizuar i plazhistëve, por me siguri një numër shumë më i madh se sa ai i atyre që kishin të drejtën të lëviznin në këtë zonë gjatë periudhës komuniste.
Zona kodrinore mjaft e thepisur drejt detit, në vitet 1960 u mboll me pemë ulliri, ndërsa në dhjetëvjeçarin që pasoi vendin e gjelbërimit e zonë bunkerët e pafund, që rrezikun e pushtimeve imagjinare e shikonin nga deti.
Thuajse i gjithë bregdeti, jo më larg se sa 3 km nga qendra e Durrësit, u kthye në zonë ushtarake, pa asnjë mundësi hyrjeje.
Pas vitit 1990 krejt zona u çmilitarizua, ndërsa nga tunelet u hoqën me jo pak vështirësi teknike një arsenal armatimesh dhe municioni luftarak./ Media Ndërtimi.