Punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë, e kanë ngritur çmimin ditor.
Nga 15 sa ishte kohë më parë, tashmë ky çmim është dyfishuar nga 25-30 euro.
B.A. nga Prishtina këto ditë për kryerjen e disa punimeve në shtëpi thotë të ketë negociuar me dy punëtorë të cilët operojnë në tregun e zi.
“Nga 25 euro për secilin kam paguar” thotë ai teksa shton së është bërë problem gjetja e punëtorëve me çmim më të lirë.
Nga ana tjetër, në kushte anonimitetit edhe disa punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë e pranojnë se e kanë lëvizur çmimin e tyre ditor.
Përpos që punojnë në tregun që është në kundërshtim me ligjet e punës, “punëtorët e krahut” në vazhdimësi janë të rrezikuar pasi që gjatë procesit të punës ata nuk pajisen me mjetet e sigurisë.
Të gjithë punëtorët në sektorin privat në Kosovë, punojnë pa sigurim shëndetësor dhe pa sigurim jetësor.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdni, ka deklaruar se mungesa e kulturës se mbajtjes së pajisjeve mbrojtëse të punës, është shkaku kryesor i vdekjeve të punëtorëve.
Ajdini për këtë fajëson edhe kompanitë private por edhe punëtorët që hezitojnë t’i përdorin pajisjet mbrojtëse.
“Ne kemi mbajtur trajnime për të vetëdijesuar punëtorët që pa mjete mbrojtëse, mos të pranojnë detyrën fare, që mos të rrezikojnë jetën. Puna më e rrezikshme është ndërtimtaria, dhe duhet të ketë shumë kujdes. Unë kërkoj nga Inspektorati i Punës që prioritet për inspektime, kontrolla të shpeshta të ketë në sektorin e ndërtimtarisë. Sepse vdekjet e punëtorëve që po ndodhin shpesh, nuk mund të kompensohen”, tha Ajdini.
Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë, rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës, raporton Radio Evropa e lirë.
Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve. Po ashtu, punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë, në të kundërtën, shqiptohen gjoba nga 5,000 deri në 35,000 euro.
Në raportin e punës të Inspektoratit të Punës për vitin 2020, vetëm në sektorin e ndërtimit, vitin e kaluar kanë ndodhur 30 aksidente. Për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, në përgjithësi, inspektorati ka shqiptuar masën e gjobës ndaj 115 punëdhënësve, prej tyre 45 gjoba vetëm në sektorin e ndërtimit./(Foto në ballinë: Fatos Bytyçi)/ Media Ndërtimi.