Arkitektura madhështore na flet dhe na fisnikëron, ashtu siç na flet dhe na fisnikëron një roman i mirë, një poezi mahnitëse, një opera madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut, sidomos për formimin e ndjenjave të tij estetike.
Përpara një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim mesazhe.
Arkitektura humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit, që ata të jenë më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë.
Krahasuar me vendet tjera evropiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendet tonë vazhdon të mbetet e shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet, parqet, rrugët e bukura, qetësia.
Për rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe shton se, arkitekti është një semiotik, antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet dhe për funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi që ajo jep.
Ndërtesa në fotografinë më lart ndodhet në Malmö të Suedisë dhe ka filluar të ndërtohet më 1546. Sa herë kthehem në Malmö e shikoj dhe kënaqem me bukuritë e saj dhe mendoj për shëmtitë arkitektonike të qyteteve tona, që realisht kurrë s’u bënë qytete në kuptimin e qytetërimit, por mbetën disa vendbanime të ngulfatura dhe pa kurrfarë shije estetike, me përjashtime shumë të vogla.
Çfarë kanë trashëguar shqiptarët nga kjo periudhë?
Duke përsiatë dhe medituar rreth kësaj pyetje, mund t’i kthjellim shumë probleme tona politike dhe historike, sidomos rreth krizës tonë kryesore, që lidhet me krizën e njeriut me identitet të humbur./ Media Ndërtimi.
*Shkruar nga shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj.