Bshkëshortja e ish Presidentit Bujar Nishani, Odeta Nishani, është një nga ish pronaret trashëgimtare e ndërtesës së “Sarajeve”, e cila është Monument Kulture i kategorisë së parë dhe të martën në mesnatë u tentua të digjej qëllimisht.
Një zjarr i dyshuar si i qëllimshëm në Sarajet e Toptanëve ka rikthyer edhe një herë në vëmendje historinë dhe luftën në prapaskenë për godinën monument kulture i kategorisë së parë në qendër të Tiranës.
Meqenëse qytetarët panë zjarrvënësin duke ikur me vrap, menjëherë nisën aludimet për një skenar të qarqeve të ndërtimit, për të ngritur kulla mbi sarajet, raporton shqiptarja.com.
Por, një reagimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nxori në pah një të vërtetë tjetër, pasi akuzoi pronarët e sarajave se fshihen pas zjarrvënies, me qëllim për të asgjësuar monumentin e kulturës, për të shmangur shpronësimin nga bashkia që synon ta rikonstruktojë ndërtesën historike, për ta shpallur “shtëpi muze” të vizitueshëm edhe nga qytetarët dhe turistët.
Në mënyrë indirekte, Kryebashkiaku Veliaj hedh akuza për ish presidentin Bujar Nishani, bashkëshortja e të cilit, (Odeta Nishani), është një nga bashkëpronarët e “Sarajeve”. Veliaj i përmend Nishanit, kohën kur si kryetar shteti doli kundër parkut të lojërave tek Liqeni Artificiale, dhe e akuzon për zjarrin në monumentin e Kulturës.
Po kush janë pronarët e Sarajeve të Toptanëve, për të cilët kanë nisur procedurat e shpronësimit?!
Sarajet e Toptanëve u ndërtuan rreth viteve 1833-1840. Ata ishin në pronësi të Selim Pashë Toptanit, pjesë e familjes çifligare dhe me titujt bejlerë.
Më vonë prona njihej në emrin e dhëndrit të tij, Servet Bej Libohovës. Sipas degëve të trashëgimisë, sarajet kaluan në emrin e Osman Kazazit dhe Fehmi Kazazit.
Këta të dy ua trashëguan pasurinë e paluajtshme Mustafa dhe Hamza Kosovës. Sipas dokumenteve, deri në vitin 1947, Sarajet e Toptanëve figurojnë me pronar Ali Kosovën, i cili është i biri i Mustafa Kosovës. Ali Kosova është gjithashtu babai i Odeta Nishanit, bashkëshortja e Bujar Nishanit. Për rrjedhojë, Odeta Nishani është sot nga një bashkëpronaret e Sarajeve të Toptanëve
Sarajet e Toptanit është ndërtuar rreth viteve 1833-1840, një nga ndërtesat e realizuara gjatë periudhës feudale, në Shqipëri.
Ajo posedon një hapësirë prej rreth 32 dhomash, të gjitha të dekoruara në një stil osman oriental. Ndërtesa përfaqëson një kompleks arkitektonik shumë të rëndësishëm të ndërtuar me mure mbajtëse masive të bëra nga mure qerpiçi dhe trarë antizizmikë prej druri, që i japin asaj ndjenjën e një fortifikimi ose kështjelle./ Media Ndërtimi.