Featured
Vazhdon të jetë e rëndë, gjendja e punëtorëve në sektorin privat
Mbi 50 milionë euro do të rritej buxheti i Kosovës sikur 150 mijë punëtorët e sektorit privat të kishin kontrata pune dhe të paguheshin kontributet për ta.
Por gjendja e punëtorëve në sektorin privat vazhdon të jetë alarmante. Kështu thotë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës të Sektorit Privat të Kosovës. Madje Azemi thotë se paga prej 130 euro është shumë shqetësuese.
“Në Kosovë mbi 150 mijë punëtorë janë pa kontrata pune, dhe një llogari e thjeshtë: nëse 150 mijë punëtorë janë pa kontrata pune, buxheti i Kosovës, në mënyrë direket dhe indirekte, humb mbi 50 milionë euro”. Tha Azemi.
Ndërsa shefi i Inspektoratit të Punës së Kosovës, Basri Ibrahimi, duke e pohuar gjendjen jo të mirë në sektorin privat, tha se numri i punëtorëve pa kontrata është afër 30 mijë, dhe jo 150 mijë siç pretendon BSPK-ja. Por që, sipas Ibrahimit, inspektorati i punës është duke inspektuar vazhdimisht kompanitë për të ndryshuar këtë gjendje.
“Ne gjithmonë e prezantojmë që kemi punëtorë pa kontrata pune. Asnjëherë nuk themi që tregu informal është i pasur, jo. Ne llogarisim diku 25 mijë deri në 30 mijë. Sepse nga 28 mijë punëtorë që i kemi inspektuar, 900 punëtorë i kemi gjetur pa kontrata”, tha Ibrahimi.
E siguria e punëtorëve në sektorin privat cilësohet të jetë alarmante. Vetëm në dhjetë vitet e fundit Kosova ka shënuar rekord të numrit të punëtorëve që kanë pësuar me fatalitet në vendin e punës.
Por, bazuar në gjithë këto probleme, punëtorët e intervistuar nga Radio Kosova nuk kishin guximin të deklaroheshin publikisht, duke u frikësuar se mund të humbnin vendin e punës. Por, ata tregonin për vështirësitë që kanë në punë, se si shumë herë punojnë edhe me orar të tejzgjatur e që për këtë nuk paguhen asnjëherë. E për sa i përket kontratave, shumë nga të intervistuarit, sidomos punëtorët e ndërtimtarisë, treguan se nuk kanë kontrata. Ndërsa ata pak që kanë kontrata thanë se marrin një pjesë të pagesë në bankë e pjesën tjetër kesh, që shefat e tyre mos të paguajnë shumë tatime për ta.