Serbja sfidon mospajtimin e qytetit për t’u kthyer në shtëpinë e saj në Kosovë, është ky titulli i mediumit të AFP Agence France-Presse për Dragica Gashiqin.
Kur Dragica Gashiq u përpoq të blinte ushqime në një dyqan lokal, pronari shqiptar e ndaloi atë të hynte. Shkelja e saj? Ngase është e para dhe e vetmja serbe që u kthye në qytetin kosovar, i cili ende bart plagët e një konflikti dekadash të vjetër.
Më shumë se 20 vjet më parë, Gashiq dhe dy djemtë e saj të vegjël ishin midis dhjetëra mijëra serbëve që u larguan nga Kosova pas një konflikti të përgjakshëm midis forcave serbe dhe luftëtarëve etnikë shqiptarë pro-pavarësisë.
Pasi “armët heshtën”, rreth 13 mijë serbë u kthyen gradualisht në shtëpitë e tyre stërgjyshore në disa enklava, por asnjëri nuk u kthye në Gjakovë ose në Djakovica, siç e quajnë serbët qytetin jugperëndimor, përcjell Klankosova.tv
Gjakova është ende duke i shëruar plagët e mbetura pas luftës së fundit të viteve 1990. Qyteti me rreth 40 mijë banorë u shkatërrua nga forcat serbe, duke vuajtur “dhunën më të madhe të kryer kundër civilëve të të gjitha qyteteve kryesore në Kosovë”, sipas Human Rights Watch.
Gashiq ishte përballur me armiqësi të vazhdueshme nga fqinjët. Ata e shajnë atë në rrugë, i hedhin gurë ballkonit të saj dhe i godasin pa pushim derën e saj kryesore, thotë ajo.
Ushqimi dhe ilaçi i saj për diabetin u vodhën gjatë një sulmi në shtëpinë e saj. Policia, tani është duke siguruar mbrojtje gjatë gjithë kohës në shtëpinë e saj, dhe ka arrestuar një të dyshuar.
Gazetarët e AFP ishin dëshmitarë të incidentit në dyqanin ushqimor, kur pronari e ndaloi atë të hynte.
“Klientët filluan të më bojkotojnë për shkakun tënd!” i tha burri Gashiq.
Fqinjët e bënë të qartë se ata nuk duan që Gashiq të jetojë atje.
“Çdo serb që kthehet është një kriminel, sepse secili ka kryer krime,” tha për AFP, Avni Ajdini, 46 vjeç, i cili punon si roje sigurie në bankë.
“Edhe duart e saj janë të pista,” tha Ferdonije Qerkezi, 68 vjeç, burri dhe katër djemtë e së cilës u vranë nga forcat serbe.
Ajo dhe të tjerët thonë se Gashiq “punoi për Ministrinë e Brendshme”.
Por Gashiq tha se ajo thjesht punonte si pastruese në stacionin policor lokal.
“Unë e di që nuk i kam bërë keq askujt”, tha ajo.
“Unë e kuptoj pse ata nuk duan të më shohin, unë jam serbe! … Lufta i mbushi të gjithë me zemërim dhe krijoi kaos.”
Organizatat joqeveritare lokale të cilat dolën nga konflikti kanë kërkuar nga autoritetet të “dëbojnë” Gashiq nga qyteti.
“Gjakova nuk është gati të mirëpresë kthimin e serbëve derisa të dorëzohen eshtrat e fundit të të dashurve tanë,” thanë 11 OJQ në një deklaratë të përbashkët./Media Ndërtimi.