Featured
Edhe Ministri i ri i Shëndetësisë zotohet për ndërtimin e Spitalit në Ferizaj
Në qershor të vitit 2016 Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë mendjen që të hapte tenderin për “Ndërtimin e ‘Spitalit Regjional të Ferizajt’”. Mirëpo, si duket nuk e ka planifikuar që do t’i zgjaste kaq shumë. Lidhur me këtë tender dy kontrata janë anuluar dhe një tjetër është kontestuar.
Ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në një vizitë që pati në maternitetin e Spitalit të Ferizajt, për shënimin e Javës së të ushqyerit me qumësht, shprehu përkushtimin e tij që kjo komunë ta ndërtoj Spitalin e ri.
Ku shtoi që Spitali i ri do të ishte një përgjigje në nevojat që i ka popullata e Ferizajt për shërbime shëndetësore më të mira.
Megjithëkëtë, Ismaili u zotua që do ta ndërtojnë Spitalin e ri për këtë qytete.
“E pamë nga vizita këtu që stafi mjekësor janë shumë të përkushtuar, por mungon infrastruktura pasi kjo që është mjaft e vjetëruar dhe nuk i përmbush nevojat. Për këtë zgjidhje do të jetë spitali i ri i qytetit që do të bëhet patjetër, sepse i duhet qytetit të Ferizajt dhe popullatës këtu. Këtë spital do ta bëjmë patjetër, dhe kjo është e sigurt, ashtu siç është e sigurt se del dielli”, u zotua ministri Ismaili.
Ndryshe, vlera e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e kësaj godine shëndetësore për herë të parë ishte vendosur 8,980,231.93 euro. Por dy muaj më vonë MSH e përmirëson veten dhe thotë se vlera e parashikuar është 11,981,921.3 euro. E ditët për kryerje të projektit u vendosen të ishin 300 ditë pune, si projekt 3 vjeçar, ku në vitin e parë investimi ishte 20%, teksa dy vitet tjera me nga 40%.
Ndërtimi i këtij godine shëndetësore është menduar të jetë i përbërë nga Bodrumi+Suteren+Përdhesë+4 kate. Në tërësi është menduar të ketë kapacitet 250 shtretër.