Mungesa e dëshmitarëve Memetali Murati, Afrim Murseli, Shaban Mushica, Besim Kabashi dhe Xhelal Beqiri, për të cilët gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, ka bërë që për të shtatën herë të dështojë gjykimi për korrupsion ndaj Selatin Beqirit, i cili është shefi i Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës.
Në këtë rast, për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose i shenjave po akuzohet edhe Osman Ramadani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Stacioni Policor në Novobërdë, përmesë zyrtarit policor Besim Kabashi ka njoftuar trupin gjykues se policia i ka kërkuar dëshmitarët në adresat e cekura si në urdhëresat përkatëse, mirëpo sipas tij asnjëri nga këta dëshmitarë nuk gjenden në adresat e cekura në urdhëresa.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani, duke i ngarkuar ata me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përkatësisht veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.
Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri gjatë muajit shtator 2018, në Novobërdë, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.
Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari Beqiri ka shkelur legjislacionin, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr.04L-110, në atë mënyrë që derisa i akuzuari tjetër Osman Ramadani shkon disa herë në zyrën e tij për të pranuar përgjigje për kërkesën e bërë për mbindërtim të objektit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës dhe disa qytetarë ankohen në këtë komunë për shkak të këtij mbindërtimi, dhe pas pranimit të këtyre ankesave, drejtori i Inspekcionit në vend të ngjarjes më 1 nëntor 2018, vendos shirita në objektin e mbindërtimit në fjalë dhe i lëshon aktvendim për ndalimin e punëve.
Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Osman Ramadani vazhdon punimet për shkak të kohës e cila ishte me të reshura shiu, ndërsa pas 2 nëntorit 2019, ai merr lejen për mbindërtim me numër të vrojtimit 09-08-2018, pra data e lëshimit të kësaj leje është para se drejtori i Inspekcionit të merr aktvendim për ndalimin e mbindërtimit dhe shiritimin e tij.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Osman Ramadani, më 3 nëntor 2018, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Pasjak të Novobërdës, pasi ka pranuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve me numër të protokollit 11 – 569, për objektin mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm./Media Ndërtimi.