Pandemia e koronavirusit preku ndjeshëm biznesin e hotelerisë në Gjirokastër, një qytet turistik që mbrohet nga UNESCO.
Por një sipërmarrës që vuri në shërbim hotelin gjatë periudhës së bllokimit prej pandemisë për një trupë policore të rojës europiane Frontex përfitoi nga të ardhurat dhe ndërtoi një hotel të ri.
Shërbimi i Hotelit të ri është ngritur në një shtëpi 200 vjeçare që ruan mjaft prej elementëve historikë të kohës dhe është tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.
Një vit më parë Qendra Historike e Gjirokastrës që mbrohet nga UNESCO u zbraz nga turistët vendas dhe të huaj prej situatës së pandemisë së koronavirusit.
Bizneset e vogla turistike u mbyllën dhe shumica e hoteleve dhe bujtinave të vogla në qytet nuk punonin, pasi turistët i anuluan rezervimet.
Por hotel “Kodra” ishte ndër të vetmit hotele që punoi pasi një ekip i oficerëve të policisë së rojës evropiane të kufijve, FRONTEX kryente shërbimin në kufirin shqiptaro – grek në Kakavijë dhe qëndronte në Gjirokastër.
Pronari i dy hoteleve tashmë, Hysen Kodra thotë se e shfrytëzoi këtë mundësi me të ardhurat që u krijuan dhe realizoi kthimin e shtëpisë 200 vjeçare të familjes në një hotel të ri, raporton VOA.
“Në kohën e pandemisë që të gjitha bizneset u mbyllën unë isha i vetmi hotel i hapur sepse kisha disa oficerë policie të huaj çekë dhe me të ardhurat e tyre restaurova shtëpinë dhe e ktheva në bujtinë”, thotë ai.
Gjirokastra ndonëse një qytet i vogël me ndërtime karakteristike të periudhës otomane falë shkëmbimeve tregtare dhe kulturore në periudhën e rreth 100 viteve më parë ka njohur edhe ndikime si nga stili francez dhe ai italian në disa prej ndërtimeve.
Arnoldo Mazeti thotë se ka ardhur nga Tirana dhe e ka gjetur hotelin në internet. Ai thotë se është tejet i kënaqur pasi ndryshe nga shumë të rinj që pëlqejnë bregdetin kërkon t`i kalojë pushimet në vende të trashëgimisë kulturore.
“Tek hoteli më pëlqeu bujaria. Thonë se gjirokastritët janë pak koprracë por bujaria dhe mikpritja ekzistojnë në Gjirokastër. Hoteli ishte më shumë se katër yje dhe pjesa e pishinës ishte një diferencë shume e veçantë. Bashkohet arkitektura e vjetër me atë të re dhe bëhet një bashkëpunim shumë i veçantë. “
Pandemia e koronavirusit solli frenim të biznesit por Hyseni thotë se ka ambicie për ta zgjeruar aktivitetin e tij./Media Ndërtimi.