Kanë kaluar dy dekada që kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për të vlerësuar koston e dëmeve të shkaktuara nga fushata ushtarake të Serbisë gjatë luftës së viteve 1998-1999 ose së paku në serinë e bisedimeve të bëhet përpjekje që ta detyrojnë shtetin serb të paguajë dëmshpërblimet.
Kostoja e përgjithshme është vlerësuar nga ekspertë ekonomikë nga Kosova se arrin diku në 22 miliardë euro, por detajet ende nuk janë vërtetuar siç duhet nga autoritetet e Kosovës, të cilët gjithashtu nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë hap domethënës drejt kërkimit të dëmshpërblimeve.
Në një zyrë juridike në qytetin e Skenderajt, dy avokatë janë përpjekur për më shumë se një dekadë të ndihmojnë për kompensime individët që vuajtën gjatë luftës.
Jahir Bejta, 69 vjeç, dhe Kadri Osaj, 53 vjeç, të cilët drejtojnë një OJQ të quajtur “Ngritja e Zërit”, e nisën betejën e tyre për drejtësi në 2008.
“Ngritja e Zërit” mbledh dhe klasifikon prova në mbështetje të pretendimeve për dëme që rezultuan nga lufta e Kosovës.
Është Hamdi Sejdiu ai i cili që nga përfundimi i luftës po e vazhdon betëjen për t’iu kompëzuar nga Serbia dëmi që i është bërë pronës së tij nga fushatat ushtarake.
Më 18 qershor 1999, pasi lufta mbaroi dhe forcat e Sllobodan Millosheviçit u tërhoqën nga Kosova, ai u kthye në Skenderaj me familjen e tij.
Disa vjet më pas, Hamdiu filloi të mblidhte dokumentet e nevojshme për të kërkuar kompensim nga Serbia.
“E gjithë prona që kisha në fshatin Qirez ishte dëmtuar, djegur dhe shkatërruar. Duke nisur nga shtëpia, veglat, hambari dhe gjithçka tjetër”, tha Sejdiu, i cili tani jeton me një pension mujor prej 120 eurosh që merr nga shteti.
Megjithatë, ai mbetet me shpresë edhe pas 22 vjetësh se një ditë do të vendoset drejtësi dhe se Serbia do të paguajë për dëmet që ajo shkaktoi në Kosovë gjatë luftës.
“Duke marrë parasysh ligjet ndërkombëtare, do të prisja që Serbia të paguajë për këto dëme, por përsa i takon institucioneve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës na ka refuzuar tre herë tashmë”, tha ai.
Çështjet e Bejtës dhe Osajt gjithmonë janë refuzuar nga gjykatat e shkallës së parë me arsyetimin se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk kanë fuqi për të sjellë në gjykatë një shtet tjetër.
Kur çështjet e tyre refuzohen, të dy avokatët apelojnë në gjykatën e apelit dhe paraqesin kërkesa për vlerësime të ligjshmërisë së çështjes së tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese gjithmonë është përgjigjur negativisht ndaj këtyre kërkesave, megjithatë, “në vend që të marrë një vendim dhe të vërtetojë faktin se kushtetutshmëria është shkelur, ajo justifikon vendimet e mëparshme nga gjykata e shkallës së parë”, tha Bejta.
Kjo ka bërë që Bejta dhe Osaj të akuzojnë institucionet e Kosovës se nuk kanë vullnet të ndihmojnë në procesin e kërkimit të dëmshpërblimeve nga Serbia.
Ata gjithashtu argumentojnë se pretendimi se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk kanë fuqi për të sjellë një shtet tjetër në gjykatë është i pasaktë dhe këmbëngulin se Ligji për Procedurën Kontestimore i Kosovës ofron një bazë ligjore për të paditur shtetin e Serbisë në gjykatat e Kosovës.
Ata sugjerojnë se një thirrje ligjore mund të dërgohet në Serbi përmes oficerit ndërlidhës të Beogradit në misionin e BE-së në Prishtinë. “Ligji parashikon se mund ta çoni një shtet në gjykatë, por ata duhet të informohen se po paditen”, theksoi Osaj./Media Ndërtimi.
(Artikulli u realizua si pjesë e projektit Drejtësië Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian)