Njësia zbatuese për këtë projekt është Bashkia Tiranë. Me anë të këtij ripublikimi kërkohet të vihen në dijeni personat e prekur nga procedura e shkëmbimit të pronës, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e re për zhvillim, në Njësinë Administrative nr. 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë”, ku masa e kompensimit vendoset sipas rregullave, si më poshtë vijon: Për pasuritë e llojit “tokë truall”, shkëmbimi për interes publik realizohet referuar germës “b”, të pikës 3, të kreu II, të VKM nr. 7, datë 6.1.2020, të ndryshuar, ku përcaktohet se “…në rast të kompensimit të vlerës së truallit me sipërfaqe banimi, vlera e sipërfaqes së ndërtimit përllogaritet duke përdorur si bazë çmimet e miratuara me vendim nga EKB, në fuqi në kohën e shpronësimit ose shkëmbimit…”, si dhe shkresës nr. 1644/1 prot., datë 14.4.2021, të Entit Kombëtar të Banesave, ku përcaktohet se “…çmimi për sipërfaqe shfrytëzimi për zonën e Kombinatit, z.k. 8230 është 65 000 lekë /m2”.
Për pasuritë e llojit “objekt banimi”, shkëmbimi për interes publik realizohet referuar germës “a”, të pikës 5, të kreu II, të VKM-së nr. 7, datë 6.1.2020, të ndryshuar, ku përcaktohet se “…pronarët që kanë në pronësi njësi banimi do të përfitojnë në shkëmbim të pasurive të tyre njësi banimi në ndërtesat që realizohen në zonën e re për zhvillim ose shtëpi individuale banimi në zonën e re për zhvillim, sa sipërfaqja e banesës që kanë…”.
Për pasuritë e llojit “ndërtesës me funksion jo banim”, shkëmbimi për interes publik, realizohet referuar germës “b”, të pikës 6, të kreu II, të VKM-së nr. 7, datë 6.1.2020, të ndryshuar, ku përcaktohet se “…me pëlqimin tuaj, prona juaj private, njësi tregtimi në zonën e re për zhvillim, kompensohet nëpërmjet shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi njësinë e tregtimit me fitimin e pronësisë mbi një njësi banimi ose njësi tregtimi nëse ka, me të njëjtën sipërfaqe në metër katror sa njësia e tregtimit që kishit në pronësi”, si dhe referuar shkresës nr. 17388/1 prot., datë 10.5.2021, të Bashkisë Tiranë, në të cilën shprehet: “në zonën e re për zhvillim, në Njësinë Administrative nr. 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë” është parashikuar një sipërfaqe njësi tregtimi prej 232,400 m2.
Personat që preken nga ky projekt të cilët kanë emrin në tabelën e publikuar dhe personat të cilët preken por nuk figurojnë në këto lista, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga publikimi në Fletoren Zyrtare dhe në portalin unik qeveritar për rindërtimin, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentet përkatëse pranë Bashkisë Tiranë, si dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke u shprehur nëse pranojnë kalimin vullnetar të pronësisë me kushtet e ofruara.
Kërkesa për shpronësim për interes publik përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projekti “Për zonën e re për zhvillim, në Njësinë Administrative 6, zona Kombinat”, në funksion të procesit të rindërtimit, rezulton me sipërfaqja totale paraprake të kompensimit me shkëmbim 39,740.67 m2 (tridhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e dyzetë pikë gjashtëdhjetë e shtatë) m2 ndërtim, apo sipërfaqe e ndryshuar, sipas rastit, pas veprimeve për lidhjen e marrëveshjeve/kontratave të shkëmbimit, mes pronarëve të shpronësuar dhe njësisë zbatuese (Bashkisë Tiranë)./ACP/