Aktuale
“Turpi i madh me Kafen e Madhe”, vështrim nga arkitekti Arbër Sadiki për shembjen e objektit në Shkodër
Published
3 years agoon
Ishte viti 1996. Isha student në vitin e parë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, dega Arkitekturë. Profesori i Historisë së Artit na dha për detyrë kursi që të mbledhim materiale, ta analizojmë dhe pastaj të shkruajmë një punim seminarik për një artist apo arkitekt simbas përzgjedhjes sonë të lirë.
Të gjithë filluan të mblidhnin libra, të cilat në atë kohë, ishin të pakta. Disa huazonin nga bibliotekat e familjarëve të tyre, kush-kush shkëmbente ndonjë me njëri-tjetrin. Unë s’kisha kujt t’i drejtohesha. Si i sapo shkuar në Tiranë, atë kohë njihja vetëm kujdestarin e konviktit, nga i cili mund të huazoje me vështirësi ndonjë sustë apo dyshek, por asesi libër. Kështu, vendosa të shkoj në Bibliotekën Kombëtare për të parë nëse mund të gjeja gjë.
Në mesin e jo shumë vitrinave të drunjta ishte edhe një që shkruante “Artet”. Fillova ti shikoja me radhë të gjithë kartonat jo lehtë të lexueshëm nga dëmtimet që kishin pësuar nga kushedi sa duar që ishin prekur. Në mesin e tyre më ra në sy një libër biografik për Kolë Idromenon, piktor, arkitekt – siç shkruante në kartonin e librit, e që të jem shumë i sinqertë, nuk kisha dëgjuar asgjë për të më parë. Nisur nga kurreshtja për të njohur një arkitekt shqiptar, e mora pa e shikuar se çfarë formati apo numër faqesh kishte dhe u drejtova drejt tek bibliotekistja e cila të siguronte librin në bazë të kartonit.
Pas pak minutash, gjersa me padurim po prisja një libër voluminoz të një formati të madh, kolor me plotë imazhe dhe fotografi, siç isha mësuar t’i shihja rëndom librat e artistëve të mëdhenj, nga bibliotekistja mu ofrua një libërth i një formati xhepi numri i faqeve të të cilit nuk mbërrinte në treshifror.
Pak i dëshpëruar, edhe për faktin se nuk e dinja se si do ti mbushja faqet minimale që kërkonte profesori, e mora dhe u ktheva në konvikt. Edhe pse fillimisht duhej prezantuar librin profesorit që të jepte fizën që të mund të vazhdoje me hulumtimin, megjithatë librin e lexova që atë natë. Fundja nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, punë dy-tre orësh lexim.
Të nesërmen filluan ti prezantonin secili prej studentëve se çka kishte përzgjedhur. Dikush kishte marrur Mikelanxhelon, dikush Albertin e Da Vinçin, shumica me materiale serioze në italishte, me libra pikërisht siç e paramendoja edhe atë të Kolë Idromenos para se ta merrja. Profesori po i përgëzonte për përzgjedhjet që kishin bërë.
Dikur nga fundi i orës, mora guximin edhe unë të prezantoj përzgjedhjen time. U ofrova tek profesori gjer sa ai po shikonte mbi një libër gjigant të Mikelanxhoelos të cilin i a mbajti studentit paraprak për ta parë më gjatë dhe i thash se kam zgjedhur Kolë Idromenon. Në çast ndërpreu shikimin mbi librin që po shihte dhe rrufeshëm kthehu kokën në drejtim timin. “Pse m’o s’gjete dot ndonjë artist a arkitekt italian ti, po merresh me kshu gjonash… (veç sa s’tha: koti)”! Edhe pse nuk e kuptova nëse m’a aprovoj apo jo autorin që po hulumtoja, unë vazhdova me Kolë Idromenon. Natyrisht që librat e Mikelanxhelos, Da Vinçit e Albertit, me të cilat megjepsej profesori, i kisha gjetur në raftet e bibliotekës familjare që kur kisha lindur, por ja që tani më tërhiqte Kola, ndoshta edhe për faktin se planprogramet jugosllave që zbatoheshin në Kosovë asokohe, nuk përfshinin artistët shqiptar.
Ta lëmë për një çast ndodhinë time personale me profesorin, edhepse nuk është e parëndësishme për temën që po trajtoj. T’i kthehemi njohjes time me Kolën. Sado i vogël që ishte ky libër, tek unë bëri një kthesë të madhe. Për herë të parë po ballafaqohesha me një personalitet të nivelit intelektual fare të pazakontë për kohën dhe vendin ku jetoi i cili përpos pikturës, skulpturës, fotografisë e regjisores, jo pak kishte kontribuar edhe në arkitekturë. Në fakt, nuk mu deshtë të lexonja më shumë se faqet e para për ta kuptuar se për rrethanat shqiptare të kohës, unë para vetes kishta pikërisht një Mikelanxhelo, Da Vinç, Albert shqiptar.
Mes veprash që përmendeshin, ishte edhe Kafja e Madhe në Shkodër e përcjellur edhe me një fotografi bardh e zi të një kualiteti shumë të dobët por që mjaftonte të dalloheshin element të spikatur të neoklasicizmit austro-hungarez, vlera këto që nuk i takonja shpesh në Tiranën që kisha gjetur. Imazhi im i zbehtë mbi qytetet e Shqipërisë ishte ai që më ishte krijuar mbi ato pak libra ideologjik që kishin depërtuar në Kosovë në fund të shtatëdhjetave dhe fillimin e tetëdhjetave.
Ky imazh ishte ai i një Shqipërie të uzinave, tymtarëve, brezareve dhe ca blloqeve monotone me fasada të papërfunduara pa kurrfarë intence arkitektonike. Këtë imazh, në masë të madhe ma vërtetoi edhe Tirana që kisha gjetur. Shtresëzime arkitektonike të tipologjisë që përfaqësonte Kafja e Madhe, për mua ishin një befasi e këndëshme. Kjo më bëri që kërrshëria për këtë ndërtesë të rritej. Shpejt kuptova se ajo përpos vlerave arkitekturore, me dekada të tëra kishte përfaqësuar vendin kryesor në kryeqytetit kulturor shqiptar, brenda dhe rreth mureve të cilës ishin zhvilluar debatet e intelektualëve më të mëdhenj të kohës nën tingujt e lehtë të muzikës klasike. Këtu kishin lindur barcoletat më të këndëshme mbarshqiptare, maloditë e pavdekshme të këngës shkodrane. Si e tillë, ajo nuk përfaqësonte vetëm një ngrehinë me vlera estetike fizike për edhe më shumë një institucion kulturor dhe shpirtëror me të cilin qytetarët ishin të lidhur emocionalisht.
Ajo nuk ishte më vetëm ndërtesë por edhe vend. Qarqe të tëra intelektualësh, artistësh, lënin takim tek vendi, pa i nxënë emrin, e vendi ishte Kafja e Madhe. Fuqia e një ndërtese që të krijojë vend është arritja më e madhe në arkitekturë.
Sado e dërmuar, fillimisht përgjatë dekadave të komunizmit duke u lënë pasdore sepse nuk paraqiste “vlera të arrira të pushtetit të proletariatit por një trashëgimi borgjezie”, e më pastaj duke e shndërruar në kazino ku gumzhinte muzika tallava përgjatë dalldisë kolektive të viteve të para të rënijes së komunizmit, si për çudi ajo erdhi deri në ditët tona.
Në vitin 2007 ajo u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë duke dhënë shpresë se shkëlqimi i saj i dikurshëm do të kthehet. Fatkeqësisht, për më shumë se një dekadë përpos një pllakeje të shëmtuar që tregon se ndërtesa gëzon statusin e Ndërtesës së Mbrojtur, asnjë intervenim të paktën për të ndalur degradimin, nuk u bë.
Një shkëndi shprese u shfaq në vitin 2017, eshe pse fare e dyshimt sepse vinte si pjesë e fushatës elektorale për njëfar “rilindje” të gjithëçkaje, por që megjithate sikur na pëlqente t’a besonim. Sot, katër vite më pas, kuptuam se projekti i “rilindjes” paska nënkuptuar shembjen tërësisht të ndërtesës. Zhdukjen e përhershme të shushurimave të intelektualëve dhe artistëve më të mëdhenj shqiptar të cilat ishin strukur diku në mes fugave të tullave të mureve të ndërtesës për të na bekuar më praninë e tyre të përhershme. Rindërtimi i saj rishtaz nuk është asgjë më shumë se një pornografi arkitektonike, një akt i kriminelit që hedh acid mbi ftyrën e përkryer të gruas me premtimin se do i bëjë një të mirë prej silikoni, një vrasje me paramendim se do t’i bëjë viktimës një gurë varri prej ari.
Jo pa qëllim, këtë akt të trisht të shembjes së Kafes së Madhe e lidha me një eksperiencë timen në fillimet e studimeve të mia për arkitekturë. Edukimi i brezave duke mësuar ata të përbuzin vlerat burimore dhe autorët kombëtar dhe të vlerësojnë vetëm ata ndërkombëtar, na shpie detyrimisht në veprime që zhdukin çdo gjurmë që mund të kenë lënë këta të tanët. Është vështirë të presësh që një gjeneratë studentësh të cilëve profesori u ka mësuar se vetëm Mikelanxheloja, Da Vinçi dhe Alberti vlejnë dhe se Idromeno, Butka, e të tjerët janë… (gati se kot), t’i dalin në mbrojtje të vlerave që kanë krijuar këta të fundit.
Këtu një gjë ka lidhje edhe me profecinë. Kafja e Madhe ndërroi shumë emra. U quajt “Adriatik”, “Kafe-Hotel Park”, “Grand Hotel Savija”, për tu kthyer përsëri tek “Kafja e Madhe”, sikur të parandjente diçka të madhe me fundin e saj, një TURP TË MADH kolektiv.
Shkruan: Arbër Sadiki, arkitekt, 09 06 2021, Prishtinë
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
4 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
4 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi