Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Shëngjini se, “pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit”.
“Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit, qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit”, tha Rama.
Kryeministri i bëri apel shkelësve të ligjit që të prishin dhe të pastrojnë vetë çka kanë ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballen me forcën e operacionit “Bregdeti ynë”, do të jetë shumë vonë për ta.
Kryeministri tha se, “ne vendosëm ta bëjmë publike këtë punë përgatitore që po zhvillohet intensivisht në Ministrinë e Brendshme, por një arsye tjetër është sepse operacioni fillon të hënën e ardhshme”.
“Unë dua që t’jua përcjell këtë mesazh të gjithë tyre që e dinë vetë që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit: të lexojnë Kodin Penal dhe menjëherë të marrin masa tani, se do të jetë vonë nga e hëna e tutje për t’ju shmangur përballjes deri në fund me ligjin. Të lexojnë Kodin Penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca nga Policia e Shtetit dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen drejtpërdrejt për këto shkelje të rënda, dhe të fillojnë t’i prishin vetë. Kjo është për t’u lehtësuar atë që pason”, tha Rama.
Së dyti, Kryeministri i bëri shumë të qartë të gjithë zinxhirit që nga inxhinieri konstruktor, te punëtori më i fundit që përfshihet në këto ndërtime, që me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe përgjegjësisë”.
“Sepse nuk mundet dot të thuash se unë jam një punëtor, më morën dhe nuk di ça bëj, se është njësoj si të thuash se unë jam një punëtor, më morën të mbillja bar, unë kujtoja se po mbillja bar, por në fakt po mbillja kanabis. Apo më morën të transportoja miell, unë kujtoja se transportoja miell, në fakt ishte kokainë. Pra është e njëjta gjë dhe të gjithë do të ndalohen dhe do të penalizohen”, tha Rama.
Kryeministri tha se kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. “Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, janë bërë çfarë janë bërë në të shkuarën, ne nuk mund të lëmë që për arsye të situatave të komplikuara si tërmeti, pandemia etj, të bubrrojë përsëri nën vështrimin indiferent të disa strukturave dhe punonjësve edhe të Policisë, që e kanë për detyrë. Ky është aktivitet i paligjshëm. Është e pamundur, e pajustifikueshme, e patolerueshme dhe SHÇBA do t’i shkoj deri në fund kësaj pune”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje njëkohësisht edhe punonjësve të Policisë që të jenë qartësisht të mirëinformuar se njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi.
“Nëse në zonën tënde të përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje je ti përgjegjës, se këtu nuk bëhet fjalë për një aktivitet të shpejt, por bëhet fjalë për struktura që ngrihen, për beton që hidhet, për gur që hidhen në det. Dhe kjo do të thotë që ti je bashkëpërgjegjës dhe bashkëfajtor në shumë raste. Kështu që për të gjitha këto arsye dëshiroj nga sot këtu të jap një mesazh shumë të qartë për të gjithë cënuesit e kësaj pasurie: tërhiquni tani, përfitoni nga këto ditë për të filluar të hiqni atë që keni bërë. Me një kat, me dy kate, me tre kate, me katër kate, në çfarëdolloj situate që të jetë do të shembet, por jo vetëm do të shembet, por do të mbani dhe pasojat”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se ligji detyron ata që ndërtojnë pa leje të pastrojnë.
“Gjithnjë është lënë pas dore, natyrisht që ne nuk do t’i lëmë grumbullimet e inerteve aty, por ama kush nuk do të pastrojë vetë do të paguaj rëndë, edhe për koston e pastrimit, dhe shpenzimin e madh të energjive nga strukturat e shtetit”, tha Rama./atsh