Çerdhja e re që u përurua nga kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka kapacitete për pranimin e 200 fëmijëve.
Me këtë rast kryetari Ahmeti tha se është kënaqësi e veçantë përurimi i një objekti me standarde të larta dhe kushte moderne, i cili do të shërbejë për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme. Ai ka theksuar se investimi në çerdhe publike, është po aq i rëndësishëm sa investimi në institucione të arsimit të lartë, sepse sa më të vegjël të kyçen fëmijët në institucione arsimore aq më shumë përparojnë dhe përgatiten për rrugën e tyre drejt shkollimit.
“Ishte edhe zotim i yni që Lipjanit t’i shtohet edhe një çerdhe e re, në mënyrë që gjithë atyre që punojnë të kenë mundësi shtesë për vendosjen e fëmijëve të tyre në këtë institucion publik” është shprehur kryetari Ahmeti.
Për shkak të situatës aktuale të ballafaqimit me pandeminë COVID – 19, kryetari Ahmeti u bëri apel punëtorëve të çerdhes dhe prindërve që sjellin fëmijët e tyre në këtë çerdhe, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID – 19.
Në anën tjetër, drejtoresha e çerdhes publike në Lipjan, Biha Azemi tha se me rritjen e numrit të banorëve në qytetin e Lipjanit është shtuar edhe kërkesa për çerdhe publike, prandaj ka falënderuar Komunën e Lipjanit për këtë investim.
Çerdhja e përuruar sot në Lipjan ka kapacitete për pranimin e 200 fëmijëve, por që gjatë kohës së pandemisë do të punojë me kapacitete të reduktuara. Ky investim është nga Komuna e Lipjanit dhe arrin vlerën: 323, 991.89 euro.
You must be logged in to post a comment Login