Me qëllim që të nxjerrin prioritetet nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për hartimin e buxhetit të Komunës për vitin 2021, Komuna e Pejës të hënën mbrëma ka përfunduar dëgjimet publike në të gjitha bashkësitë territoriale. Sikurse edhe vitin e kaluar kërkesë kryesore e banorëve të kësaj komune ka qenë rregullimi i rrjetit elektrik në qytet dhe fshatra.
“Rregullimi i rrjetit elektrik nuk është kompetencë e Komunës, por i KEDS-it dhe kjo po na shkakton mjaft telashe, sepse po mbetet si kërkesë e parealizuar”, ka thënë drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj. Ai ka treguar se si vitin e kaluar këtë kërkesë të qytetarëve ia kanë përcjellë KEDS-it. Po ashtu ai ka bërë të ditur se kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, para dy jave ka pasur një takim me drejtuesit e KEDS-it në Prishtinë, shkruan KOHA.
“E ka pasë këtë takim me KEDS-in para se të nisin dëgjimet publike për planifikim të buxhetit, pikërisht duke e ditur se këto kërkesa e ankesa do të përsëriten për shkak se KEDS-i nuk është duke i kryer punët si duhet në rregullimin e rrjetit elektrik”, ka theksuar Abazaj.
Kreu i Komunës, sipas Abazajt, i ka ofruar KEDS-it edhe mundësinë e bashkëfinancimit për rregullimin e rrjetit elektrik.
“Komuna nuk e ka për obligim rregullimin e rrjetit elektrik, por për shkak të nevojave të qytetarëve që po përballen me rrjet të dobët e të vjetruar elektrik, kryetari i ka thënë KEDS-it se Komuna është në gjendje që t’i japë 500 mijë euro në vit për bashkëfinancim për rregullimin e rrjetit elektrik”, ka bërë të ditur Abazaj.
KEDS-i e ka konfirmuar për KOHËN se janë takuar me kreun e kësaj komune. “Ne takim KEDS e ka njoftuar kryetarin për investimet që është duke i kryer në këtë komunë ( Linja 10 kV Leshan-Lutogllav-Terstenik, TS dhe rrjeti në Vitomiricë, TS dhe rrjeti në fshatin Boge-Rugovë, dislokimi i rrjetit të TU në fshatin Llabjan dhe Katuni i ri, Stabilimenti shpërndarës në Radavc… etj. Gjithashtu, KEDS i ka sugjeruar kryetarin që ta përgatisë një listë me projekte prioritare për ketë komunë. Në takim kryetari është njoftuar edhe për planifikimet për vitin e ardhshëm në këtë komunë. Këto janë investime komplet nga KEDS-i”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.
Ndërsa për ofertën e Komunës për bashkëfinancim, në KEDS kanë thënë se ato bëhen vetëm në raste urgjente.
“KEDS nuk i pret komunat për ndarje te buxhetit për investime, sepse planifikimet për t’u investuar bëhen në bazë të kritereve (rëniet e tensionit, rrezikshmëria, humbjet, numri i konsumatorëve… Bashkëfinancimet me komuna bëhen në rastet kur komunat kanë ndonjë projekt me urgjencë dhe ku i njëjti projekt nuk është në listën e investimeve të KEDS-it dhe në të gjitha rastet pjesën më të madhe të investimeve edhe në këtë rast e merr KEDS-i”, ka deklaruar Buzhala.
E përveç rregullimit të rrjetit elektrik, kërkesat tjera të qytetarëve kanë qenë për rrugë, kanalizim dhe kanale të ujitjes.
“Asfalti vazhdon të jetë në mesin e kërkesave kryesore. Në fshatra ka pasë kërkesa për kanalizime, kurse në fshatrat e Lugut të Baranit dhe Lugut të Leshanit top-prioritet ka qenë kanalet e ujitjes. Tash edhe kjo është normale, se andej janë kryer shumica e rrugëve dhe njerëzit kërkojnë atë që nuk është kryer ende”, ka thënë Abazaj.
Për vitin e ardhshëm Komuna e Pejës ka planifikuar nga buxheti i saj 8 milionë e 855 mijë euro për investime kapitale. Me donacione të donatorëve të huaj, pa përfshirë mjetet e mundshme nga niveli qendror, Komuna pret që për investime kapitale shuma e mjeteve t’i afrohet 10-milionëshit.
You must be logged in to post a comment Login