Connect with us

Aktuale

Atlantropa, projekti për tharjen e Detit Mesdhe, për të bashkuar Evropën dhe Afrikën

Published

on

Vitet 1920 sollën ide të shkëlqyera në dobi të progresit të njerëzimit, siç ishte shpikja e penicilinës dhe semaforëve. Por ajo dekadë, prodhoi edhe një numër projektesh inxhinierike të çuditshme dhe ambicioze.

Më i madhi prej tyre ishte Atlantropa, plani për të mbyllur me një digë Ngushticën e Gjibraltarit, e për të prodhuar energji elektrike të mjaftueshme në gjysmën e Evropës. Kjo do të sillte tharjen e Detit Mesdhe, dhe ndërtimin përmes tij të rrugëve për bashkimin e Evropës dhe Afrikës, dhe krijimin e një super-kontinent të ri euro-afrikan.

Edhe pse tingëllon sot si një histori fantastiko-shkencore, ky plan ka ekzistuar vërtet. Madje, disa qeveri e morën atë seriozisht deri në vitet 1950. Ky vizion i çuditshëm utopik, nisi nga një njeri, dhe nisi të ketë më pas një rëndësi ndërkombëtare, para se fund të braktisej.

Shkencëtarët, filozofët dhe inxhinierët, besuan se mund të zgjidhnin përmes projekteve madhështore, ato që ata i panë si sëmundje terminale të shoqërinë evropiane. Dhe një nga ata ishte arkitekti gjerman Herman Sërgel. Në vitin 1927, në moshën 42-vjeçare, ai hartoi për herë të parë planin e tij për Atlantropa, të cilën fillimisht e quajti Panropa.

Duke u frymëzuar nga projektet e tjera të mëdha inxhinierike si Kanali i Suezit, ai ishte shumë më ambicioz. Plani i tij për Atlantropën parashikonte ndërtimin e një rrjeti digash përgjatë Ngushticës së Gjibraltarit, duke e ulur nivelin e ujit në Detin Mesdhe.

Digat do të vendoseshin përtej Ngushticës së Sicilisë, duke lidhur Italinë me Tunizinë. Diga të tjera në ngushticën e Dardaneleve në Turqi, do të lidhnin Greqinë me Azinë. Së bashku, këto diga do të siguronin urat lidhëse të Evropës me Afrikën në një rrjet rrugor dhe hekurudhor, duke lidhur bashkë dy kontinentet.

Me më shumë se 660.000 kilometra katrorë tokë të fituar, dhe digat që do të prodhonin energji të mjaftueshme për më shumë se 250 milionë njerëz çdo ditë, Evropa do të kishte një epokë të re të artë të energjisë elektrike të bollshme, hapësira të mëdha, dhe furnizime të pafundme të ushqimit nga toka të reja bujqësore.

Sipas vizionit të Sërgel, super-kontinenti i ri ishte mënyra e vetme për të parandaluar një konflikt të ri botëror. Evropa kishte pak vite që kishte dalë nga tmerri i Luftës së Parë Botërore, ndaj u përpoq gjatë asaj kohe të gjente shpresë për të ardhmen.

Edhe pse kishte pësuar humbje të mëdha në njerëz gjatë luftës dhe pandemisë së vitit 1918, popullsia e saj u rrit nga 488 milion në 534 milionë ndërmjet viteve 1920-1930. Por në të njëjtën kohë, politika evropiane kishte arritur pikën më të lartë të tensioneve ndër shekuj. Kombet si Polonia dhe Jugosllavia, arritën të fitonin pavarësinë e tyre pas dekadave të shumta të sundimit perandorak. Dhe banorët e perandorive të vjetra, kishin frikë se nuk do të kishte vend për ta në aspektin fizik, social apo kulturor.

Në mesin e kësaj klime, në politikën gjermane nisi të bëhej jo pak tërheqës koncepti i Lebensraum (hapësirës jetike). Lebensraum, ishte besimi se gjëja më e rëndësishme që një shoqëri të mbijetonte dhe të lulëzonte, ishte hapësira e domosdoshme për anëtarët e saj. Sigurisht, me vonë ajo ide do të shfrytëzohej në mënyrë të tmerrshme nga nazistët, në përpjekjen e tyre për dominimin e botës.

Në Evropën Qendrore që kishte një popullsi të dendur, dëshira për Lebensraum çoi në përfundimin se nuk kishte vend të mjaftueshëm për të gjithë. Dhe Atlantropa, dukej si formula magjike që do të zgjidhte problemet e kontinentit.

Aspekti më i çuditshëm në lidhje me planin e Sërgel për të tharë Detin Mesdhe, nuk ishin pretendimet e pazakonta, por fakti që ato u morën seriozisht. Ai botoi në vitin 1929 një libër me titull “Tharja e Mesdheut, ujitja e Saharasë:Projekti Panropa”. Shumë shpejt ky projekti mahniti Evropën dhe Amerikën e Veriut. Në atë kohë, lulëzuan projekte të mëdha inxhinierike si përmbytja e Luginës Tenesi, ndërtimi i Digës Huver, apo hapja nga Bashkimi Sovjetik i Kanalit që lidhte Detin Balltik me Detin e Bardhë.

Dhe nën këtë sfond, Atlantropa dukej një projekt i arsyeshëm, dhe madje emocionues. Madje plani i Sërgel, frymëzoi një roman me titull “Panropa” në vitin 1930. Aty protagonisti kryesor është një super-shkencëtar heroik gjerman i quajtur Dr.Maurus, plani i të cilit për të tharë Mesdheun, solli të zhvillim të madh për Evropën, pavarësisht përpjekjeve të aziatikëve dhe amerikanëve për të sabotuar përpjekjet e tij.

Mbi atë projekt u realizuan edhe filma, ndërsa Sërgel ngriti Institutin Atlantropa me pjesëmarrjen e financuesve, arkitektëve dhe inxhinierëve të ndryshëm. Për disa vjet, plani pati një publicitet të madh në gazeta dhe revista.

Rrëfimet mbi Atlantropën, shoqëroheshin shpesh me ilustrime me ngjyra, të financuara kryesisht nga gruaja e Sërgel, një tregtare e suksesshme e veprave të artit. Megjithëse ëndrra e tij mahniti shumë evropianë, Atlantropa e kishte një anë të errët, e cila diskutohej rrallë. Diga e Gjibraltarit midis Spanjës dhe Marokut do të ishte e gjatë 300 metra e lartë. Ndërkohë me gjithë vizionin e tij përparimtar, Herman Sërgel kishte një pikëpamje tradicionale mbi kombësinë dhe racën. Por në dallim nga bashkëkohësit e tij nazistë, ai besonte se kërcënimi kryesor për Gjermaninë nuk ishin hebrenjtë, por Azia.

Sipas tij, bota dhe do të ndahej natyrshëm në tre blloqe: Amerika, Azia dhe Atlantropa. Me ndërtimin e digave dhe urave të reja, rajone dhe kultura të shumta që e kishin bazuar tek deti veprimtarinë e tyre për shekuj me radhë, befas do të izoloheshin.

Projekti do të sillte mbetjen pa shtëpi të shumë njerëzve. Një pjesë e propozimit të tij përfshinte bllokimin e lumit të Kongos dhe përmbytjen e Afrikës Qendrore, pa menduar aspak për dhjetëra miliona njerëz që jetonin atje. Uji do të ridrejtohej për në shkretëtirën e Saharasë, duke formuar liqene të mëdha me ujëra të ëmbël, dhe duke e kthyer shkretëtirën në tokë bujqësore.

Në Atlantropën e tij, evropianët e bardhë do të sundonin si raca dominante, duke përdorur për punët fizike zezakët e Afrikës. Sërgel e prezantoi idenë e tij tek nazistët, i bindur se ata do ta mbështesin. Por plani i tij iu duk paqësor nazistëve, në krahasim me atë që kishin në mendje.

Për më tepër, përpjekja e tij për ta kthyer vëmendjen e tyre drejt Afrikës, nuk përputhej me synimin e atëhershëm të Hitlerit për të shkatërruar Bashkimin Sovjetik. Sërgel foli për idetë e tij në Panairin Botëror të Nju Jorkut në vitin 1939, por pa mbështetje zyrtare, ai nuk mundi të ndërmerrte asnjë veprim konkret.

Deri në fund të luftës, ëndrrat e Sërgel për Atlantropën u dukën të pamundura për t’u vënë në zbatim. Pasi luftës, Sërgel u gjend në një kontinent plot me shpresë për të ardhmen. Humbja e fashizmit dhe rritja e fuqisë atomike, premtuan një të ardhme të ndritshme përpara, ndaj ai nisi të promovonte sërish idetë e tij.

Atlantropa tërhoqi vëmendjen e shumë politikanëve dhe industrialistëve. Por edhe pas kapitullimit të nazistëve, Sërgel refuzoi të hiqte dorë nga elementët racistë të vizionit të tij. Për më tepër, bota po lëvizte në një drejtim më praktik.

Në atë kohë u formua Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, që një ditë do të bëhej Bashkimi Evropian. Reaktori bërthamor, sinjalizoi fundin e shpresave për Atlantropën. Më në fund, Evropa kishte qasje në burime të mëdha energjie përmes një projekti shumë më praktik, sesa një rrjeti monstruoz digash.

Me energjinë hidroelektrike të mbetur pas në të kaluarën, ëndrra utopike e Sërgel nuk do të jetësohej kurrë. Deri në fund të jetës, Sërgel shkroi edhe 4 libra të tjerë. Ai botoi mijëra artikuj, dhe dha leksione të panumërta për të promovuar ëndrrën e tij.

Por edhe pse punoi kaq shumë pa u lodhur për të promovuar Atlantropën, ideja do të vdiste bashkë me të. Mbrëmjen e 4 dhjetorit 1952, Sërgel po shkonte me biçikletë në Universitetin e Mynihut për të mbajtur një ligjëratë, kur një shofer e përplasi për vdekje me automjetin e tij.

Në vitin 1960, Instituti Atlantropa u shkri. Që nga vdekja e tij, projekti Atlantropa është zhvendosur në fushën e trillimeve të fanta-shkencës. Megjithëse ai plan nuk ka gjasa të realizohet ndonjëherë, mbetet shumë i çuditshëm për t’u harruar. / All that is Interesting – Bota.al

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending