Featured
Nis ndërtimi i vendpagesave përgjatë autostradës në Shqipëri

Kalimi në rrugën e Kombit nga muaji dhjetor do të jetë me pagesë. Edhe pse rruga ende është e papërfunduar para disa javësh konsorciumi i kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha, i cili fitoi një vit më parë koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës, ka filluar punën për ndërtimin e vendpagesave.
Kjo ka nxitur zemërim në Kukës ku qytetarë dhe drejtues lokal thonë se i tremben një izolimi të mëtejshëm të qytetit që sipas tyre është një nga më të varfrit në vend. Vangert Beqollari, përfaqësues i kompanisë “Salillari” i tha “BIRN” se punimet për ndërtimin e vendpagesës vazhdojnë me intensitet dhe pritet që të përfundojnë në dhjetor. “Kur të vinin në dhjetor do të jetë çdo gjë gati. Në bazë të projektit në këtë shesh do të jenë 10 korsi (5 hyrje dhe 5 dalje) me trarët ku do të kryhet pagesa”, tha Beqollari. Sipas tij çdo gjë në vendpagesë do të jetë elektronike, ndërsa do të ketë edhe dy ndërtesa që do të shërbejnë për zyra dhe për personelin e sigurisë.
Koncesioni për mirëmbajtjen e rrugës iu dha kosorciumit “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha, në gusht të vitit 2016 pasi Komisioni i Prokurimit Publik, përmbysi një vendim të Ministrisë së Transporteve e cila kishte shpallur fitues një kompani tjetër. Atëherë edhe sot banorët e Kukësit kundërshtojnë pagesën duke pretenduar se kjo do e varfërojë qytetin dhe dëmtojë biznesin e vogël atje.
Sipas të dhënave publike për koncesionin mesatarisht çdo makinë që do të kalojë në këtë rrugë do të paguaj 5 euro me TVSH, ndërsa koncesionari do të marrë prej vitit të tretë të koncesionit edhe një shtesë prej 5 milion euro në vit (nga viti i tretë deri në atë të 15) si subvencionim të koncesionit.
Megjithë kundërshtimet nga Kukësi, kompania “Salillari & Kastrati ” që ka marrë me koncesion Rrugën e Kombit ka filluar para dy javësh punën për vënien e trarëve të cilët do të shërbejnë për ndalimin e automjeteve, për të paguar taksën e kalimit në autostradën Durrës- Kukës- Morinë, duke filluar kështu zbatimin në terren për krijimi i infrastrukturës së nevojshme për mbledhjen e kësaj takse. Projekti sipas punonjësve të kompanisë parashikon zgjerimin e një segmenti të Rrugës së Kombit rreth 4 km në hyrje të Tunelit të Kalimashit, nga katër në gjashtë korsi, ndërsa do të ndërtohen mbi dhe nënkalimet, rrethimi dhe çdo element tjetër sigurie në autostradë si dhe vendosjen e trarëve, që do të shërbejë për vjeljen e taksës së rrugës.
