Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dje ka mbajtur një konferencë për medie ku dhe ka paraqitur pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
Bislimi në konferencë për media theksoi se pakoja e dytë për ekonomi ka një ndikim 1.2 miliard euro për pesë vitet në vijim.
Bislimi para gazetarëve ka thënë se me ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë dhe ministrisë së shëndetësisë Kosova e ka kaluar periudhën e deritanishme shumë më lehtë sesa vendet tjera.
“Kriza shëndetësore në për të cilën po kalojmë për gjatë vitit 2020 është pa precedent sikur nga natyra ashtu edhe nga përgjigjja e institucioneve publike. Falë reagimit të hershëm të institucioneve me masa kufizuese dhe fale disiplinës së qytetarëve Kosova ka arrit periudhën e deri tanishme dukshëm më lehtë. Këto zhvillime kanë krijuar hapësirën për hapjen graduale të ekonomisë. Qeveria ka përgatitur pakon e parë me vlerë prej 190 milionë euro”, tha Bislimi.
Por a do të jetë e mjaftueshme dhe a është i mundur implementimi i kësaj Pako të Rimëkëmbjes?
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për lajmi.net ka thënë se implementimi i saj do të përcillet me probleme, dhe mund të jetë edhe e pamjaftueshme.
Ai në deklaratën dhënë lajmi.net ka thënë se Kosova ka hyrë në vitin 2020 pa buxhet të votuar dhe kjo ka ndikuar që pozicioni ekonomik karshi dëmeve të pandemisë të jetë i dobët.
“Në rend të parë duhet të kuptohet se Kosova ka hyrë në krizën në luftën kundër pandemisë, në rend të dytë duhet të përmendet se vendet e botës kanë luftuar me pandeminë në frontin e shëndetësisë e Kosova ka luftuar në 3 fronte, edhe në atë të ekonomiko-social dhe jo-stabiliteti ekonomik. Kur krejt kësaj i shtohet se kemi hyrë në vitin 2020 pa buxhet të votuar dhe pa rezerva, atëherë ka vështirësi të mëdha”, tha Gërxhaliu.
Më tutje, ai ka thënë rënia e të hyrave nga Doganat e Kosovës dhe ATK-ja të përcjellura me rënie të importeve dhe jo-stabilitet ekonomik kanë bërë që Kosova në të ardhmend o të përballet me pasoja të mëdha ekonomiko-sociale.
“Duhet të kuptohet se kemi rënie drastike të të hyrave qoftë nga Doganat e Kosovës, qoftë nga Agjencia Tatimore e Kosovës dhe kemi rënie të importeve dhe kjo është sfidë e cila e sfidon qeverinë cila do të jetë. Por duhet të kuptohet se jostabiliteti politik e ka dëmtuar Kosovën më shumë se pandemia dhe pasojat e këtij jo-stabiliteti do t’i shohim edhe në aspektin ekonmik edhe social, integrues e psikologjik. Në këtë drejtim, derisa vendet e rajonit kanë avancuar me hapat e mbështetjes së sektorit privat dhe ekononomisë, ne ende jemi në hapin e parë ku ende nuk ka përfunduar dhe kjo e dëshmon se kaca e Kosovës është e zbrazët dhe në këtë drejtim jemi në një situatë të tillë që e dëshmon një realitet të hidhur”, tha Gërxhaliu më tutje.
Ai ka shtuar gjithashtu se Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike është në kohën e gabuar dhe në një ambient politik të dështuar – duke e cilësuar këtë si situatë të papërshtatshme për implementimin e saj.
“Unë e kam shfletuar Pakon e Rimëkëmbjes dje, është e vërtetë që në këtë situatë çfarëdo plani të draftohet është e pamundur të realizohet. Besoj që plani i shpalosur nga ministri Bislimi ka substancë edhe vertikale edhe horizontale, por është në kohën e gabuar dhe në një ambient politik të dështuar dhe në një ambient që nuk është në favor të implementimit”. Dhe po të kemi një qeveri vigjilente që mendon për shtet e jo parti politike një draftim i tillë, me një kompletim më të gjerë mund të jetë plan nacional zhvillimor, por më shqetësuese është fakti që në Kosovë nuk kemi unitet politik dhe nuk kemi unitet të strategjive dhe po e shohim që çdo parti politike ka një plan, por më tepër teorik sesa praktik, por pa unitet nuk mund të ndodh.”, tha Gërxhaliu.
Më tutje, ai ka konstatuar se kjo pako, përveç vështirësive në implementimin mund të jetë edhe e pamjaftueshme.
“Nuk duhet të priten vetëm mjetet e pritura nga brenda, duhet të përgatitemi edhe për borxh sepse nëse sot e investojmë dhe mbështesim sektorin privat, krijojmë stabilitet në të ardhmen, sepse me 100 milionë, 200 milionë e 300 milionë është e pamundur të rimëkëmbet ekonomia nga ky izolim 3 mujor. Politizimi i skajshëm i koronavirusit e ka dëmtuar Kosovën në çdo pore, dhe jo stabiliteti ekonomik do të bëjnë që pasojat t’i ballafaqojmë pas pandemisë”, tha Gërxhaliu.
E krejt në fund, ai është shprehur se Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga institucionet ndërkombëtare për rimëkëmbjen ekonomike.
“Do të ketë vështirësi në implementim sepse nuk ka unifikim politik, nuk ka do të thotë ratifikim të marrëveshjeve për marrjen e huasë, ose për bashkëpunim me institucione kredibile ndërkombëtare dhe e tëra kjo po e sfidon Kosovën dhe po e shihni sa i dëmshëm është jo stabiliteti politik. Besoj që qeveria që do të vijë në të ardhmen, këtë plan për sanim të pasojave nga koronavirusi, duhet ta analizojë, duhet ta inkorporojë sepse vërtetë Kosova nuk ka komoditet që hulumtime të tilla të hudhen ose të mbesin në sirtate.”, tha ai në fund.
Ministri Bislimi në konferencën e djeshme për media ka sqaruar edhe cilat do të jenë fazat nëpër të cilat do të kalojë Pakoja e Rimëkëmbjes së Ekonomisë.
You must be logged in to post a comment Login