Aktuale
Memorial për ushtarët britanez në sheshin “Zahir Pajaziti”
Sheshit“Zahir Pajaziti” në Prishtinë do t’i shtohet një memorial.
Sipër një hapësirë të gjelbër, tek një kënd i lodrave të fëmijëve pritet të vendoset memoriali përkujtimor për ushtarët britanez të KFOR-it që kanë humbur jetën në Kosovë gjatë shërbimit.
Ky ka qenë lokacioni i caktuar nga Komuna e Prishtinës pas një kërkesë që Ambasada e Britanisë në Prishtinë i ka bërë Komunës për vendosjen e një pllake përkujtimore, shkruan lajmi.net.
Pllaka do të jetë e gjerë 30 centimetra, 2 metër e gjatë dhe 1.2 metër lartësi me mbishkrimin përkatës për ushtarët britanez.
Vendimi për caktimin e këtij lokacioni pritët ti dërgohet Kuvendit Komunal për miratim në mbledhjen e pestë dhe të fundit të kësaj legjislature që do të mbahet me datë 29 shtator.
“Me shkresën nr. 07-353/01-0103263/17 dt.04.05.2017 Ambasada Britanike në Prishtinë ka kërkuar nga Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm caktimin e lokacionit për vendosjen e pllakës përkujtimore të 14 ushtarëve britanez që kanë humbur jetën në Kosovë gjatë shërbimit. Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, sipas kërkesës së lartë cekur nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe në bashkëpunim me zyrtarët e kësaj Drejtorie dhe përfaqësuesit e Ambasada Britanike në Prishtinë është identifikuar lokacionin për vendosjen e pllakës përkujtimore i cili gjendet në kuadër të Planit Zhvillimor Urban i miratuar me Vendimin e KK të Prishtinës 01 nr. 035-181427 dt. 24.09.2013 sipas të cilit kjo zonë është paraparë të jetë për ndërtim të lartë të përzier, lokacioni i propozuar shtrihet në parcelën kadastrale me nr. 6204-0 ZK.Prishtinë ZK.Prishtinënë në pronësi – pronë shoqërore K.K Prishtinë”, thuhet në arsyetimin e Komunës së Prishtinës për këtë vendim të cilin e posedon lajmi.net.
Tutje, Komuna arsyeton që, Sipas Planit Zhvillimor Urban, pjesa e parcelë ku do të vendoset memoriali është e destinuar për ndërtim të lartë të përzier (sipas gjendjes faktike në këtë pjesë të parcelës ku do të vendoset memoriali gjendet Sheshi Zahir Pajaziti), dhe se ne aspekt të planifikimit urban nuk paraqet ndonjë pengës për caktimin e lokacionit sipas kërkesës së Ambasada Britanike në Prishtinë.
“Bazuar në gjendjen faktike konstatojmë se hapësira se ku do të vendoset memoriali është sipërfaqe e gjelbëruar, andaj gjatë vendosjes së memorialit duhet ti kushtohet kujdes të veqant ambientit se ku do te vendoset memoriali, nuk lejohet vendosja e ndonjë materiali tjetër përveq pllakës nga graniti me dimensione të përafërta (0,30m gjerësi X 2m gjatësi X 1,2m lartësi ), me mbishkrimin përkatës për ushtarët britanez”, thuhet në këtë vendim.