Connect with us

Ndërtim

Sheshi “Skënderbej” blindohet me kulla, gati gropa për 25-katëshin e ri, “Tirana’s Rock”

Published

on

Qendra e Tiranës rreth e qark sheshit “Skënderbej” po kthehet në një zonë me ndërtesa të larta, dendësia e të cilave, nuk i përgjigjet shtysave të tregut ku kërkesa që rrjedh nga bumi ekonomik do të çonte vetvetiu në ndryshime kaq të hovshme.

Në anë të Hotel Tiranës në vend të ndërtesës monument kulture ku nisi fillimisht të funksionoje Banka e Shtetit Shqiptar do të ngrihet një kullë 25 katëshe që imiton bustin e heroit kombëtar, Skënderbeut.

Projekti i kullës, i quajtur “Tirana’s Rock” është publikuar nga Portali Shqiptar i ndërtuesve, por objekti ka marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Këto ditë janë prishur objektet ekzistuese për t’i lënë vend kullës së radhës.

Objekti, i cili ngrihet mbi një parking nëntokësor 5 katësh, konsiston në rreth 29,300 metër katror ambiente tregtare, zyra dhe njësi banimi. Apartamentet përbëjnë pjesën kryesore të projektit. Ndërsa ambientet tregtare do të jenë të aksesueshme nga ana e sheshit Skënderbe.

Trualli ku do të zhvillohet projekti që propozohet, kufizohet nga rruga e “DIBRES” që ndodhet në Jug, Unaza e Vogël në Veri. Trualli është pjesë e zemrës së qytetit të Tiranës.

25 katëshi është projektuar nga studio holandezë MVRD për llogari të kompanisë së ndërtimit Ana shpk.

Kompania ANA është krijuar në vitin 2003, me aktivitet në import-eksport, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Kompania kishte rreth 38 milionë lekë të ardhura në vitin 2018 (rreth 312 mijë euro), me një përgjysmim në raport me vitin e mëparshëm, sipas bilancit zyrtar.

Totali i kapitalit të kompanisë është rreth 850 mijë euro. Detyrimet totale janë 5.7 mln euro (1.4 mln euro kredi dhe pjesa tjetër kryesisht arkëtime në avancë për porosi), çka bën që raporti detyrime/kapital të jetë 6.7, shumë më i lartë se mesatarja prej 0.5-1, që preferojnë bankat për të dhënë kredi.

Në kahun e aktiveve (total 6.5 mln euro), kompania ka aktive afatgjata në formën e makinerive dhe pajisjeve me vlerë rreth 3 mijë euro, ndërsa pjesa më e madhe e aktiveve janë të drejta të arkëtueshme dhe shpenzime të shtyra (shih bilancin në fund).

Nuk ka një vlerë se sa do të jetë investimi për ndërtimin, por sipas të dhënave sipërfaqja e ndërtimit në total do të jetë rreth 38 mijë metra katror. Sipas ndërtuesve, në atë zonë kosto e ndërtimit është minimumi 400 euro/metër katror pa tokën dhe rreth 1000-1500 euro përfshirë tokën. Me këto kosto, investimi maksimal shkon në mbi 50 milionë euro.

Në qendër të Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve luhaten në 3000-4000 euro për metër katror, ndërsa për zyra nga 10 mijë deri në 15 mijë euro për metër katror. Duke e llogaritur vetëm me një çmim të shitjes së apartamenteve prej 4000 euro/m2, për një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 29 mijë metrash katror, të ardhurat do t’i kalonin 120 milionë euro.

Ndërtuesit pohojnë se për projekte të tilla, ku toka është në një vend me vlerë, dhe ka një projekt me një leje ndërtimi, gjetja e investitorëve është e lehtë.

7 kulla po ngrihen në zemër të Tiranës

Aktualisht rreth sheshit Skendërbej ngjitur me të janë duke u zhvilluar 7 kulla të larta mbi 20 kate, të cilat aktualisht janë në fazë zhvillimi. Ndërsa pas prishjes se godinës së teatrit është hapur rruga për ndërtimin e një kompleksi me ndërtesa të larta të cila janë afërsi të zonës së qendrës.

Projekti Book Building, 4-5-11-21 kate

Është një kompleks me godina polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë. Book Building ndërmjet rrugës 28 Nëntori dhe rrugës “Abdi Toptani”, me subjekt zhvillues Techno-Alb sh.p.k. Projekti parashikon ndërtimin e tre objekteve në një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë

“Eyes Tirana”, 26 kate

Eyes of Tirana është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës pritet të nisin këtë vit. Godina do të operojë si hotel nga Marka ndërkombëtare e hotelerisë Melia, teksa zhvilluesi në Tiranë është Edil Al.

Tirana “Forever Green”, 20 kate

Pas disa kohësh pezullimi, punimet niswn për objektin 20- katësh në afërsi të qendrës përballë Kishës Ortodokse, e cilësuar Tirana Forever Green, por po ecin me ritëm të avashtë.

Objekti, tani një karabina, zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe ka 20 kate, në të cilat katër nëntokë.

Kulla do të ketë 4 nivele parking nëntokësor, hapësira komerciale, dyqane, 7 nivele zyra, 8 nivele banimi dhe një hotel super luksoz, me një investim 25 milionë euro.

Hotel Tirana i ri, 30 kate

Kompania GECI shpk që ka në administrim dhe pronësi hotel Tiranën, nisi këto ditë projektin për zgjerimin e tij me një objekt të ri rreth 30 kate. Punimet për projektin po vazhdojnë dhe parashikohet të ndërtohet brenda një periudhe pesë vjeçare, për shkak të vështirësive të punimeve në pjesën e nëntokës. Hoteli i ri do të administrohet nën emrin e Hotel Tiranës dhe jo nën një markë të njohur ndërkombëtare. Objekti i ri është konceptuar si shumëfunksional, por kryesisht hotel. Në katet e para të saj do të ketë dyqane të luksit, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma, suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash.

Tirana’s Rock, 25 kate

Është projekti ri gati për nisje. Një kulle rreth 80 metra e gjatë me 25 kate në formën e fytyrës së Skënderbeut do të shërbejë më së shumti apartamente luksi./Monitor.al

Ndërtim

Arabia Saudite ndërton një tjetër park të madh ujor në qytetin Qiddiya

Published

on

Fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite ka njoftuar ndërtimin e një parku të dytë të madh tematik ujor për qytetin Qiddiya në jugperëndim të Riadit.

Parku Aquarabia do të ketë 22 udhëtime dhe përvoja miqësore për familjen, me bazë uji. Ai mbështetet nga Kompania e Investimeve të Qytetit Qiddiya (QIC), e cila është në pronësi të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

PIF tha se parku i ri ujor do të ishte më i madhi në rajon dhe do të plotësonte Qytetin Six Flags Qiddiya prej 1 miliard dollarësh, parkun kryesor të qytetit dhe parkun e parë Six Flags që do të projektohet dhe ndërtohet jashtë Amerikës së Veriut. Kontraktorët e Përgjithshëm Almabani të Arabisë Saudite dhe Bouygues i Francës nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar atë park tematik ujor, i cili mbulon një sipërfaqe prej 320,000 m2, në vitin 2021.

Uji i ricikluar do të përdoret në ujitjen dhe ftohjen e Aquarabia, ndërsa PIF premtoi se mbetjet e ujit do të “uleshin deri në 90%”.

Të dy parqet janë në ndërtim dhe janë caktuar për t’u përfunduar në vitin 2025, me një datë hapjeje ende për t’u komunikuar.

Qyteti Qiddiya do të shfaqë disa atraksione argëtuese, sportive dhe kulturore, duke përfshirë një zonë lojrash dhe e-sportesh, stadiumin Mohammed bin Salman me shumë sporte, një pistë sportive motorike dhe parkun tematik të shpallur së fundmi Dragon Ball.

Argëtimi, koha e lirë dhe sportet janë një nga 13 sektorët strategjikë të PIF për investime, në përputhje me Vizionin 2030 të Arabisë Saudite, i cili synon të diversifikojë ekonominë e Mbretërisë së pasur me naftë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Kompanitë e ndërtimit shohin përfitime në efikasitet për shkak të dimrave të butë?

Published

on

Në gjithë globin, ciklet rajonale të dimrit shihen si periudha në rënie për produktivitetin e ndërtimit, por një raport i ri nga institucioni financiar holandez ING sugjeroi se tregu evropian ka rritur efikasitetin mes stinëve të ftohtë.

“Moti më i ngrohtë i dimrit do të thotë që kontraktorët evropianë të ndërtimit po përjetojnë më pak ndërprerje të biznesit ndërsa klima jonë ngrohet,” tha ekonomisti i lartë i ING Maurice van Sante në raportin e titulluar Kompanitë e ndërtimit shohin përfitime në efikasitet për shkak të dimrave më të butë.

Duke ofruar të dhëna të përpiluara nga ING Research, NASA dhe Our World in Data, van Sante vuri në dukje se anomalitë e temperaturës në hemisferën veriore arritën lartësi rreth dy gradë (Celsius) më të larta, mesatarisht, se në 1985.

“Ne donim të shihnim nëse temperaturat në rritje kanë pasur tashmë një ndikim të matshëm në ciklet vjetore të prodhimit të kompanive evropiane të ndërtimit,” tha Van Sante, duke vënë në dukje se dy tregues janë përdorur në matje:

Pjesa e kompanive që përmendin nivelet e tyre të prodhimit ishte e kufizuar gjatë periudhave të dimrit (janar dhe shkurt) dhe verës (korrik dhe gusht) për shkak të kushteve të motit.

Ndryshimi i vëllimeve aktuale të ndërtimit në këto periudha

Ajo që gjeti studimi ishte një reduktim me më shumë se 30% i kontraktorëve të BE-së, gjatë tre dekadave të fundit, të cilët thanë se aktivitetet e tyre ishin të kufizuara për shkak të motit të keq nga janari në shkurt.

Vera me vapë mbytëse nuk është problem për ndërtimin evropian!

Gjersa fitimet në produktivitet në dimër mund të shihen si pozitive, temperaturat në rritje globale – në përgjithësi – nuk janë.

Megjithatë, van Sante tha se një humbje reciproke e produktivitetit në verë (nga nxehtësia ose moti ekstrem) thjesht nuk po ndodh në një mënyrë të matshme.

Megjithatë, ai vuri në dukje se nivelet rekord në verë po rrisin shpeshtësinë e ditëve të punës të anuluara.

Përderisa mund të duket sikur se një planet në ngrohje ka krijuar një mjedis ideal për aktivitetet e ndërtimit në disa seksione të Hemisferës Veriore, van Sante paralajmëroi në raportin e tij se këto ndryshime janë ‘diamante’ në atë që është bërë një mjedis gjithnjë e më i ashpër./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Rritja e shitjeve në sektorin e ndërtimit u frenua në vitin 2023

Published

on

Pas rritjes dyshifrore në vitin 2022, ritmet e shitjeve në volum në sektorin e ndërtimit janë frenuar disi në vitin 2023, sipas të dhënave që INSTAT ka grumbulluar te kompanitë e ndërtimit.

Zakonisht në 3-mujorin e fundit të çdo viti ka një rritje të shitjeve në banesa, për shkak të blerjeve që bëjnë kryesisht emigrantët në këtë periudhë (shiko grafikun bashkëngjitur).

Në 3-mujorin e fundit të 2023, volumi i shitjeve në ndërtim u rrit me vetëm 1% nga 16.1% që ishte rritja në tremujorin e fundit 2022.

Gjatë gjithë tremujorëve të 2023, ritmet e rritjes së shitjeve në volum ishin më të ulëta se më 2022.

P.sh. në tremujorin e dytë 2023, volumi i shitjeve u rrit me vetëm 0.2%, në tremujorin e dytë rritja ishte me 5.2% nga 11.5% në të njëjtën periudhë të vitit 2022, shkruan Monitor.al

Me gjithë frenimin e ritmeve të rritjes, volumet e ndërtimit dhe shitjeve po rriten në sektorin e ndërtimit, edhe pse treguesit demografikë dhe inflacioni i lartë nuk po e frenojnë këtë trend si në Europë.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Europë është në një fazë stanacioni nga rënia e kërkesës, teksa lufta në Ukrainë ka krijuar një efekt psikologjik negativ për investime në pasuri të paluajtshme.

Pavarësisht ngadalësimit, ndërtuesit vendas mbeten optimistë. Pas një rënie me 8 pikë në janar 2024, treguesi i besimit në ndërtim që matet nga Banka e Shqipërisë u rrit me 6.8 pikë përqindje në muajin shkurt. Ky tregues qëndron rreth 25 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.

Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues. Paralelisht me të, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Nga ana tjetër indeksi i besimit konsumator u rrit në disvarfor të blerjeve të mëdha në dy muajt e parë të vitit 2024.

Sektori i ndërtimit pësoi një rritje të vrullshme pas vitit 2016, kryesisht në sektorin e banesave. Rritja e lejeve në rekorde historike dhe sipërfaqes në ndërtim në pesë vjeçarin e fundit erdhi në një kohë që popullsia po pakësohet dhe po plaket nga rënia e lindjeve dhe emigracioni lartë të rinjve. Në kontradite më këto zhvillime çmimi i banesave është rritur me shpejtësi.

Ndërtimi është kthyer në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit. Në vitin 2022, sektori kontribuoi me 11.1 pikë % të vlerës së shtuar nga 9.4 pikë % që kontribuoi në vitin 2019. Ky kontribut u rrit më tej në vitin 2023, referojnë të dhënat jo përfundimtare.

Aktualisht, Shqipëria është vendi më i varfër i Europës dhe ka ekspozimin më të lartë të sektorit të ndërtimit në kontinent. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 11.2% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në BE, ky sektor kontribuoi me 5.5%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending