Connect with us

Aktuale

Sfida e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë

Published

on

Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për Kosovën, kur merren parasysh dëmet e paraqitura në nivel lokal dhe global, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Deri më tani, nuk ka ndonjë shifër të saktë të humbjeve ekonomike, por sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, vlerësohet se 6 milionë euro në ditë Kosova humb për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rimëkëmbja ekonomike do të jetë e vështirë, por që nevojitet strategji adekuate nga autoritetet kompetente.

Rukiqi shprehet se ballafaqimi me pandeminë është një situatë e re për Kosovën, kështu që kërkohen veprime urgjente në mënyrë që të ndihmohen bizneset drejt rimëkëmbjes, rrjedhimisht zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

“Çdo sektorë është i prekur, ne kemi një varësi të madhe nga remitencat dhe remitencat do të ndikohen. Edhe eksporti do të ndikohet, aq pak sa kemi do të ndikohet. Dhe normalisht që kjo më vonë na sjell probleme të përgjithshme në bilancin e pagesave, me një mundësi që të thellohet deficit në bilancin e pagesave”, thotë Rukiqi.

Sipas tij, do ketë edhe rënie të fuqisë blerëse, pasi pritet të ketë humbje të vendeve të punës dhe rënie të vlerës se remitencave nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro, mjete këto që kanë pasur rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës.

Edhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pranon se rimëkëmbja ekonomike do jetë e vështirë. Por, ai thotë sektorët që aktualisht janë më të dëmtuarit nga pandemia dhe llogariten se kanë numrin më të madh të të punësuarve, siç është turizmi dhe shërbimet, nuk kontribuojnë në masë të madhe në buxhetin e Kosovës.

“Këta sektorë nuk janë formalizuar në masën e mjaftueshme, rrjedhimisht edhe pse kanë 6 për qind të te punësuarve, ata kontribuojnë më vetëm 1,5 deri në 1,8 për qind në të ardhurat e përgjithshme të ekonomisë kombëtare. Kështu përmasat e dëmtimit në ekonominë e Kosovës janë dukshëm më të vogla se në vendet tjera, rrjedhimisht potenciali për t’u ripërtëri më shpejtë është më prezentë në Kosovë sesa në vendet e rajonit dhe të tjera”, është shprehur Bislimi.

Ndikimi i Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike në zhvillimin e bizneseve

Bislimi tregon se për të ndihmuar veprimtarinë e bizneseve, Qeveria në detyrë e Kosovës tashmë ka filluar të zbatojë Pakon Emergjente Fiskale, në bazë të cilës më nga 130 euro respektivisht 170 euro janë paguar punëtorët të cilët nuk kanë punuar nga muaji mars, kur edhe janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Kurse gjatë kësaj jave ka filluar hartimi Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike me një vlerë prej 1 miliard euro. Kjo pako thuhet se në shumicën e rasteve do ndihmojë bizneset përmes kredive me norma të ulëta të interesit.

Kjo pako, sipas Bislimit, do të ndikojë në përmirësimin financiar të bizneseve.

Rukiqi ndërkaq thotë se ndihma e bizneseve përmes kredive është kërkesa e komunitetit të biznesit.

“Kjo ka qenë kërkesë e komunitetit të biznesit që nga fillimi, që të mbahet likuiditeti në ekonomi, bizneset të kenë mjete në dispozicion, të ruhet kredidhënia dhe mënyra më e mirë është që të garantohen kreditë dhe greis periudha (një afat i caktuar për mospagimin e kredisë), në mënyrë që bizneset që kanë problem në funksionimin e tyre mos të kryejnë kreditë menjëherë, por të kenë një periudhë të caktuar e cila do garantohet nga ana e qeverisë”, tha Rukiqi

Parashikimet për rritje ekonomike

Ekonomia e Kosovës në vazhdimësi është përballur me nivel të ulët të zhvillimit.

Viti 2019 është përmbyllur me një rritje ekonomike prej 4,2 për qind, e cila vlerësohet se ka qenë e pamjaftueshme për të adresuar problemin e papunësisë, me të cilin përballen të rinjtë.

Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonomi janë më të zymtat që kanë qenë ndonjëherë.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit të publikuar më 29 mars, parasheh një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.

Kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret për 5 për qind.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending