Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për tëparandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, për mbylljen e shumë bizneseve, do të kenë ndikim të madh në ekonominë e vendit.
Kështu po e paralajmëron prorektori në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, Ibish Mazreku.
Në një intervistë për Front Online, Mazreku ka konsideruar se vendi do të përballet me rritje të papunësisë, e shumë biznese kanë mundësi edhe të falimentojnë.
Mazreku thotë se krijimi i një Fondi Emergjent shtesë si dhe ristrukturimi i buxhetit të Kosovës, do t’i nxirrte nga kriza e falimentimit shumë biznese si dhe do ta ulte papunësinë.
“Zgjidhja më e mirë është, nëse bizneset i mbajnë punëtorët që i kanë pasur deri para pandemisë, si dhe t’i kryejnë aktivitetet e tyre ashtu siç kanë qenë paraprakisht. Moskrijimi i një fondi tjetër shtesë për ngjalljen e bizneseve është rreziku më i madh për vendin”, ka thënëMazreku për Front Online.
Ai e sheh si të vonuar reagimin e institucioneve të Kosovës për ta ruajtur ekonominë e vendit.
“Një ndihmë prej 170 eurove nuk është zgjidhje, kjo është afatshkurtër. Shteti përmes edhe Pakove tjera Emergjente duhet ta zvogëlojë papunësinë. T’i kthejë bizneset në gjendjen siç kanë qenë, si dhe t’i mbajë punëtorët në vendet e tyre që kanë qenë”, deklaroi ai.
Humbjet në ekonomi, sipas tij, mund të bëhen të ditura vetëm atëherë kur këto biznese do të aplikojnë për fonde shtesë në organet shtetërore.
“Nuk ka evidenca konkrete në numra se sa janë humbjet në ekonomi. Ne mund t’i dimë më së miri në bazë të kërkesave të bizneseve që aplikojnë për fonde shtesë tek organet shtetërore për mbulimin e humbjeve. Ato mund të jenë të mëdha, për shkak të masave që Qeveria ka ndërmarrë, masa këto që janë të drejta. Humbjet janë të mëdha, si në buxhetet familjare po ashtu edhe tek bizneset. Nëse pandemia zgjatët, rreziku mund të jetë edhe më i madh”, tha Ibishi duke shtuar se Kosova duhet të marrë mësim nga kjo pandemi dhe në të ardhmen të jemi më të përgatitur ndaj krizave tjera.
Modeli i shteteve të BE-së për ta shpëtuar ekonominë e Kosovës, është shembulli më i mirë, tha Mazreku për Front Online.
“Ne si Kosovë duhet të marrin shembull modelin evropian. Ata kanë paraparë fonde të caktuara që njëra ndër to është për mbajtjen e risqeve të papunësisë, sepse me papunësisë lindin probleme zinxhirore. Duke filluar nga familja, zvogëlimi i buxhetit, të hyrat e kështu me rrallë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë model që të krijojmë fonde të tilla. Fillimisht ta zvogëlojmë papunësinë, t’i kthejmë punëtorët në bizneset që kanë punuar”, tha ai.
Kësisoj, ai tha se në vendet e BE-së, fermerët janë të parët që ndihmohen nga institucionet.
“Shteti i Kosovës duhet t’i caktojë prioritet e saj, cilët sektor duhet t’i mbulojë financiarisht. Në shtet e BE-së, përkrahen fermerët. Esenca këtu është që të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për qytetarët. Ne duhet të kemi ristrukturim të buxhetit, që përmes tij t’i orientojmë sektorët e caktuar”, ka thënë Mazreku.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon Fiskale Emergjente për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve në kohë pandemie.
You must be logged in to post a comment Login