Featured
Rruga e paasfaltuar e fshatit Çelik detyron banorët të ikin nga atje gjatë dimrit
Rruga e paasfaltuar prej 2 kilometrash në fshatin Çelik të Komunës së Gjilanit, po u shkakton mjaft probleme rreth 100 banorëve të rreth 15 shtëpive.
Ata përballen me një rrugë në kushte tejet të vështira, e cila nuk është asfaltuar asnjëherë, raporton KTV.
Përpos terrenit të pjerrët, rruga ka edhe shumë gropa, që po u shkaktojnë probleme të shumta banorëve. Ata thonë se dimrit u duhet t’i shesin bagëtitë sepse lëvizja nëpër fshat është e pamundshme.
Kjo rrugë banorëve po ua pamundëson edhe zhvillimin e bizneseve.
E, pavarësisht mbi 30 kërkesave, të cilat banorët thonë t’i kenë bërë, komuna nuk ka arritur deri tani një marrëveshje për rregullimin e saj.
Zyrtarë nga Komuna e Gjilanit nuk kanë folur para kamerës për Kohavisionin, mirëpo përmes postës elektronike janë arsyetuar se komuna e ka mirëmbajtur deri tani me zhavorr rrugën, e së fundi ka hapur edhe tender për asfaltimin e saj.